Kaloi në heshtje shkarkimi para dy ditësh i zëvendësministrit të Financave, Florian Semani. I emëruar me bujë në shkurt të këtij viti, Semani u prezantua si financier profesionist, që vinte me eksperiencën e ekonomistit të punësuar pranë Departamentit të Thesarit Amerikan. Por Ministria e Financave, e kthyer në Agjenci “Matchmaking” ku puqen burra me gra të panjohura dhe gjiriz korrupsioni, nuk mund të pranonte një “amerikan” të fuste hundët në punët e shqiptarëve.
Burime të brendshme informojnë se “sherri” i shkarkimit janë dy koncesione që Semani i kundërshtonte, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm, Besmir Beja, i kërkonte të nënshkruara me porosi nga “lart”.
Thuhet se sherri i kuadrove të lartë të ministrisë degradoi deri në akte dhune fizike, por Ministri “boksier” i Financave, Petrit Malaj, që vetëm disa ditë më parë fitoi dy raunde boks ndaj ministrit të Jashtëm, Hasani, nuk e ndau sherrin e vartësve të tij. “Tajsoni” Malaj u bë me koncesionet korruptive.
Nuk është hera e parë që në korridoret e ministrive të qeverisë socialiste shfaqet sherri me grushta për histori rozë apo luftë për “jeshilet”. Xholi që del kudo në këto sherre mban një emër: Besmir Beja. Krutani Beja, me biznes familjar pikën famëkeqe Exchange “Lapraka Union”, është hedhur kudo ku ka nevojë për t’u mbyllur ndonjë aferë.
Nga drejtor në Ministrinë e Drejtësisë, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme, Besmir Beja, përveç konvertimit të parave të korrupsionit te Exchange në udhëkryqin e Laprakës, vazhdon misionin e caktuar nga “tutorët” e Kryeministrisë sa herë është nevoja. Këtë herë urdhri ishte të largonte Florian Semanin.