Modelja e njohur kosovare Ziza Pajaziti rezulton tashmë në një dosje penale si një nga femrat që ka hyrë në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës, ku ka zhvilluar një takim special me të dënuarin me burg përjetë të bandës së Lushnjës, Laert Haxhiun. Si shumë media, Prapaskena publikoi lajmin e raportuar nga gazetari Elton Qyno. Ditën e sotme, modelja Pajaziti na ka dërguar një ultimatum përmes avokatit Shkëlzen Behrami për të fshirë brenda tre ditëve lajmin e hyrjes së saj në burgun e Drenovës, me pretendimin se lajmi nuk është i vërtetë, është shpifje dhe se dëmton imazhin dhe reputacionin e modeles Pajaziti.
Tre janë provat që konfirmojnë lajmin se modelja Ziza (Zize) Pajaziti ka hyrë dhe ka ‘lëkundur’ Burgun e Drenovës; Një raport sekret i burgjeve, videoja ku shfaqet modelja brenda burgut duke shkuar në ambientin e takimit special dhe dosja e prokurorisë. Nuk i kemi publikuar këto prova, por mund t’i paraqesim në gjykatë nëse do të jetë e nevojshme.
Ultimatumi i modeles
Me datë 10.07.2025 në portalin tuaj, është publikuar lajmi me titull: “Ziza Pajaziti, modelja që erdhi nga Dubai dhe ‘theu’ burgun e Drenovës, takim ‘special’ me Laert Haxhiun dhe furtuna që la pas, me përshkrimin e fotos të znj. Zize Pajaziti.
Ky titull dhe përmbajtja përkatëse përbëjnë një cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit, privatësisë dhe imazhit publik të znj. Pajaziti, e cila është një figurë publike e njohur në Republikën e Kosovës si dhe të Shqipërisë. Për më tepër, termi “takime speciale”, i përdorur në mënyrë spekulative në tekstin tuaj, ka një kuptim të qartë ligjor dhe rregullator sipas Rregullores së Përgjithshme për Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shqipëri: këto vizita lejohen vetëm për bashkëshortët e të dënuarve, me autorizim të posaçëm dhe dokumentacion përkatës. Znj. Pajaziti nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lidhje bashkëshortore me ndonjë nga personat e përmendur, dhe nuk ka realizuar asnjë vizitë të tillë. Publikimi i këtyre pretendimeve të pabazuara, pa asnjë provë konkrete, është i natyrës shpifëse dhe qëllimshëm denigrues.
Ky raportim dhe publikimi i një lajmi të tillë bie ndesh me Nenin 36 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që garanton të drejtën për jetë private dhe mbrojtjen e reputacionit; Ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes të Republikës së Kosovës, që ndalon dhe sanksionon publikimet shpifëse dhe fyerëse; si dhe Parimet bazë të Kodit Etik të Gazetarisë, të cilat kërkojnë verifikimin e fakteve, raportimin e balancuar dhe shmangien e spekulimeve të pabazuara.
Duke marrë parasysh natyrën serioze të dëmit moral dhe reputacional që i është shkaktuar klientes sime, kërkojmë me urgjencë Heqjen e menjëhershme të publikimit nga portali juaj dhe nga të gjitha platformat dhe rrjetet sociale ku ai është shpërndarë; Publikimin e një përgënjeshtrimi zyrtar dhe publik, me të njëjtën dukshmëri, për të sqaruar opinionin mbi të pavërtetat e publikuara; Ndërprerjen e çdo publikimi të mëtejshëm që lidhet me këtë çështje, në të njëjtën formë të papërgjegjshme.
Në të kundërt, rezervojmë të drejtën të ndërmarrim të gjitha hapat ligjorë për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të znj. Pajaziti, përfshirë: Paditë civile për dëmshpërblim jo material dhe material, për shpifje dhe fyerje publike; Paraqitjen e ankesave pranë organeve të mbikëqyrjes mediatike dhe autoriteteve të tjera kompetente.
Ju kërkojmë ta trajtoni këtë kërkesë me seriozitetin maksimal dhe të ktheni përgjigje me shkrim brenda 3 (tri) ditësh pune nga data e pranimit të saj.
Në mungesë të një reagimi në afatin e caktuar, do të konsiderojmë se kemi konsumuar të gjitha përpjekjet e arsyeshme për zgjidhje në mirëkuptim dhe do të veprojmë pa asnjë vonesë përmes instancave ligjore përkatëse.