Nga motorrist i oligarkut të ilaçeve Hervin Fora në ‘piton’ i barnave kontrabandë dhe tenderave të dyshimtë, duke tejkaluar edhe ish pronarin e tij. Ky është Ilir Shehu, personazhi që qëndron pas komapnisë Medicamenta, e cila ka përlarë rreth 40 milionë euro tendera në shëndetësi. Ilir Shehu, i skeduar për skema mashtrimi me barnat, vjedhje dhe pastrim parash, përflitet se arriti të futet në biznesin e barnave pas aktivitetit kriminal të trafikut të drogës në Itali.
Të paktën kështu pretendon Nadir Çausholli, simboli i mafies së ilaçeve në Shqipëri, i skeduar për pastrim parash me Po-jën, ilaçe të skaduara, manipulim të tregut të ilaçeve, mashtim për rimbursimin e TVSH-së për medikamentet në vlerën 2 milionë euro, vepër për të cilën edhe është dënuar. Sipas Çaushollit, rivali i tij në biznes, Ilir Shehu është dënuar për trafik droge në Itali me emrin Ilir Pasholli.
Ilir Shehu është pronar që nga viti 2013 me 40 % të aksioneve i kompanisë së barnave Medicamenta. Pjesa tjetër e aksioneve (60%) figuron në emrin 67-vjeçarit italian Riccardo Celesia. Italiani i kontrollon aksionet përmes kompanisë Farmacia Celesia srl.

Shehu i bleu 40 % të aksioneve për 400 mijë euro në tetor 2013. Ka dy elemente që i bëjnë të besueshme akuzat e Çaushollit. Së pari, Ilir Shehu rezulton në pamundësi për të justifikuar 400 mijë euro, për blerjen e aksioneve. Së dyti, vlera e aksioneve dyshohet se është më e madhe se deklarimi.
Gjatë 5 viteve të fundit, kompania Medicamenta, e vetme dhe në bashkëpunim, ka marrë rreth 40 milionë euro tendera në shëndetësi, për furnizim me ilaçe, në disa raste në koordinim me ‘ujqërit’ e barnave, dajën e Petrit Vasilit, Rasim Hamzarajn, Luan Leklin, ‘merimangën’ e ilaçeve të skaduara Merita Sheqin, Gentian Krekën etj., grup i cili ka kapur buxhetin e shëndetësisë.
Tipologjia e tenderave është e njëjtë. Mungesë konkurrence ose garë e sajuar. Ofertat fituese janë gjithnjë sa fondi limit. Kritere të përshtatura dhe të diktuara nga karteli. Mashtrim me zbatimin e kontratave dhe cilësinë e medikamenteve.
Pak vite më parë Ilir Shehut i doli emri si i përfshirë në një skemë mashtrimi me barna, ku ishte implikuar dhe një farmacist i QSUT. Skema ishte e tillë, farmacisti merrte barna nga farmacia e shtetit, e cila supozohej se ua ofronte falas pacientëve, dhe këtyre të fundit u thoshte se kishte mungesë të tyre por mund t’ua gjente kundrejt pagesës. Gjithashtu infermieri zëvendësonte barnat e farmacisë shtetërore me barnat e skaduar të kompanive të oligarkëve dhe këto të fundit ua shiste shqiptarëve. Ndër oligarkët që ka shkëmbyer barna në kufijtë e skadencës të kompanisë së tij është edhe Shehu, duke vënë seriozisht në rrezik jetën e qytetarëve shqiptarë të sëmurë.