Figurat e trafikut të drogës, prostitucionit, trafikut të qenienve njerëzore, korrupsionit dhe pastrimit të parave vijojnë të përfitojnë miliona euro para publike me tendera me natyrë korruptive, procedura fiktive dhe oferta fituese gati sa fondi limit, përmes kompanive në emrin e tyre apo të familjarëve, duke përzier kështu paratë publike me paratë e krimit.
Bëhet fjalë për ish bosin e prostitucionit në Piacenza të Italisë, Lefter Lamaj, i dënuar me 11 vit burg, i cili fshihet pas kompanisë përfituese Devis shpk, ndryshuar emrin në Abi’s shpk, kaluar në emrin e bashkëshortes Kristinka Leka, si dhe për trafikantin e grodës Gëzim Salillarin, i njohur si Gëzimi Kashtës, i dënuar me 11 vite burg për trafik kokaine dhe heroine, i cili i përfiton paratë publike përmes kompanisë Rej shpk, në të cilën është aksioner me 20 % përmes kompanisë Kliva, me ortak të vetëm Salillarin.

Dy personazhet kanë përfituar miliona euro para publike, përmes tenderave të dyshimtë.
Së pari, ligji shqiptar ndalon të dënuarit për trafik droge, prostitucion dhe organizatë kriminale që të marrin pjesë në tendera dhe ankande publike.
Së dyti, përfituesit real të fondeve publike janë subjekte të ligjit anti-mafia, ndaj të cilëve SPAK duhet të nisë hetim pasuror, për të kosntatuar nëse kompanitë janë produkt i parave të pista dhe për të procesuar me sekuestrim sipas rastit.