SPAK njofton përfundimin e hetimeve për bandën e mikrokredive dhe jua dergon letrën që do shkojë në gjykatë, 30 vikimave të kësaj skeme, që mori në qafë përmbi 100 mijë shqiptarë. Prokurori Edvin Kondili shkruan në fund të një materiali voluminoz me 210 faqe:
“Në këto kushte janë siguruar të dhëna të sakta dhe të plota për të pandehurit Elda Ibro, Arben Meskuti, Alban Kote, Aldo Daka, Albert Gega, Olsi Ibro, Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi, Yliana Sejfo, Indrit Çuberi, R. Bejko, Altin Vako, Helidon Xhindi, Fatos Alimadhi, Lefter Canaj, Roland Deda, Endri Myftari, Personi juridik “Micro Credit Albania” sh.p.k., Personi juridik “ADCA” sh.p.k., Personi juridik “Final” sh.p.k., “Zyra e Përmbarimit Privat TDR Group” të cilët kanë konsumuar elementët e veprave penale të ‘Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Falsifikimit të dokumentave”, “Falsifikimit të dokumentave kryer nga personi që ka për detyrë lëshimit e dokumentit”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 143/3; 186/1; 186/3; 333/a dhe 334, paragrafi i parë, të Kodit Penal.“

Nenet e Kodit Penal parashikojnë të paktën 20 vjet burg për Arben Meskutin dhe mbi 10 vjet për secilin nga 15 të akuzuarit e tjerë, në mos më shumë. I vetëm që “shpëton” është Olsi Ibro, i cili tashmë ka ndërruar jetë duke kryer vetvrasje.
Çfarë parashikojnë veprat penale të njoftuara nga SPAK?
Neni 186
Falsifikimi i dokumenteve
Falsifikimi ose përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dënohet me burgim deri në tre vjet.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me burgim nga një vit deri në shtatë vjet.
Neni 333/a
Grupi i strukturuar kriminal
Krijimi, organizimi ose drejtimi i një grupi të strukturuar kriminal për kyerjen e veprave penale dënohen me burgim nga tre deri në tetë vjet.
Pjesëmarrja në grupin e strukturuar kriminal dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
Neni 334
Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal
1. Kryerja e veprave penale nga pjesëtarë të organizatës kriminale dhe të grupit të strukturuar kriminal dënohet sipas dispozitave penale përkatëse, duke i shtuar dënimit për veprën penale të kryer edhe pesë vjet burgim, si dhe gjobën në masën një të tretën, por pa kaluar kufirin maksimal të dënimit me burgim.
2. Kur dispozita përkatëse referuese përmban dënim me burgim apo me burgim të përjetshëm, dënohet me njëzet e pesë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
3. Kur dispozita përkatëse referuese përmban vetëm dënim me burgim të përjetshëm, dënohet me burgim të përjetshëm.
Një nga gjyqet më të rëndësishme të post-komunizmit pritet të fillojë në shtator të këtij viti në GJKKO, ku interesi publik do jetë në shkallën më të lartë për vetë numrin e lartë të viktimave. Megjithëse SPAK ka njoftuar vetëm 30 prej viktimave që kanë faktuar veprat penale, pritet t’u bashkohen me mijëra të tjerë në këtë “Maxi proces”.
Hetimet e përfunduara tregojnë si për 9 vite, Olsi Ibro, Elda Ibro dhe Arben Meskuti, krijuan një grup të strukturuar kriminal, me një qëllim të kristalizuar, për të mashtruar mijëra qytetarë, duke ngritur një linjë shoqërore tregtare për këtë qëllim.
Grupi kriminal, sipas hetimit, arriti që nëpërmjet ankandeve fiktive të shtjerë në dorë të paktën 1700 pasuri të paluajtshme dhe sekuestroi me mijëra llogari bankare të debitorëve artificialë të MCA dhe Final. Me mijëra prona u sekuestruan nga përmbaruesit e grupit për t’i detyruar njerëzit për marrjen e kredive të reja tek MCA dhe Final.
Në faqet e dokumentit të SPAK, lexohen me dhjetra histori të mashtrimit të njerëzve, mënyra se si bëhej ai, mes të cilëve edhe ajo e Pal Trashaj që helmoi veten para derës së Spak. Në faqen 46 të këtij dokumenti zbardhet historia e trishtë e Pal Trashaj, i cili për 27,935 lekë vrau veten.
Hetimi që përmban 234 fashikuj prova, do të ketë mijëra faqe histori të dhimbshme që u lejuan të rrënojnë financat e 100 mijë shqiptarëve dhe u mori jetën disa prej tyre.
Ajo që shfaqet si drita e diellit në këtë dokument të SPAK është historia e pasqyruar me dhjetra herë në media tre vitet e fundit.
Nëse media do të lexohej nga organet kompetente që kur shkruante rreshtin e parë, sot nuk do ishim para një dokumenti bombë që tregon Mega mashtrimin me kredi, i bërë nën hundën e shtetit, por jo pa ndihmën e tij.