Hetimi i Prokurorisë së Fierit për zhvatjes 20-vjeçare të pasurisë nëntokësore të shqiptarëve nga kompania mafioze Bankers Petroleum ka zbuluar detaje tronditëse se si çeta e plaçkitësve notonte në paratë, të cilat duhet të shkonin në arkën e shtetit. Vetëm gjatë vitit 2021, në kuadër të shpenzimeve për të mos paguar taksa, kupola e Bankersit ka shpenzuar 460 mijë euro për festa, dekorime dhe akomodime.

Ashtu siç edhe Prapaskena e ka paralajmëruar përmes një serie shkrimesh, Bankers shpenzon deri në 500 mijë euro në vit për të paguar mediat, që të mos denoncojnë aferat korruptive të kompanisë. Për sigurime shëndetësore në spitale private shpenzimet janë 374 mijë euro në vit.
Në ‘gropën’ 5.5 miliardë euro të vjedhjes së Bankers janë implikuar dhjetëra personazhe, biznesmenë, politikanë dhe oligarkë. Prapaskena do t’i ekspozojë në vijim një nga një me foto, emër dhe shumën e parave që kanë vjedhur. Pasuria e përbashkët e shqiptarëve është vjedhur dhe ndarë, duke marrë nga një copë; segmente të qeverisë, Familja Berisha, oligarkë mediatikë, biznesmenë, sekserë, oligarkë, ish deputetë, ish ministre etj.
Leonidha Çobo, hajduti i shekullit
Leonidha Çobo, i njohur si Loni i Bankersit, mund të konsiderohet si hajduti i shekullit. Rroga e tij në vit, sipas dosjes së Prokurorisë së Fierit, shkonte deri në 1.7 milionë euro. Loni, pas të cilit qëndrojnë politikanë dhe personazhe kryesor në dosjen e Prokurorisë për ‘gropën’ 5.5 miliardë euro të Bankers Petroleum, gjatë zhvatjes 20-vjeçare të pasurisë nëntokësore të shqiptarëve.
Leonidha Çobo, ish administrator i Bankers në periudhën 2010-2015, dyshohet se është ideatori i skemës së mashtrimit me të ardhurat, fryrjen e shpenzimeve me fatura fiktive për të mos paguar taksa, devijimin e fitimit dhe pastrimin e parave, duke i dhënë kompanisë një fytyrë mafioze. Skema është zbatuar më pas nga pasardhësit e Çobës në krye të Bankersit.

Loni i Bankersit, vetëm përmes faturimeve fiktive ka përfituar mbi 100 milionë euro, me sistem bankar. Paratë kalonin nga Bankersi tek një kartel kompanish të Çobos nga Tirana në Itali. Vite më parë, vetë kompania Bankers denoncoi përmes një letre publike skemën e vjedhjes së Çobos kur ishte administrator i kompanisë. Denoncimi erdhi pas prishjesh në pazare të çetës së hajdutëve, por shumë shpejt mosmarrëveshja u shua pasi zhurma ishte në dëm të të gjithëve.

Paratë e vjedhura, Loni i Bankers i ka pastruar duke i investuar në vila, pallate, prona, ferma, biznese në fushën e karburanteve, teknologjisë, prodhimeve bujqësore etj. Vetëm në Rolling Hills, zonë e cila përmendet shpesh në dosjet e SPAK-ut, Leonidha Çobo posedon një nga vilat më luksoze dhe të shënjuara për madhësinë e saj. Vlera e vilës, produkt i pastrimit të parave, është mbi 5 milionë euro dhe ka një pozicion strategjik në zonën e të korruptuarve.
Në skenë Frida Krica
Për të pastruar paratë e vjedhura me Bankersin, Leonidha Çobo është ndihmuar nga ish drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca, e cila dhjetëra milionë euro fonde të BE-së për Bujqësinë i devijoi në duart e figurave të krimit, oligarkëve, figurave të korrupsionit dhe në xhepat e disa shoqeve të saj. Krifca i ka dhënë Çobos rreth 500 mijë euro nga fondet e BE-së për bujqësinë.

Zonja Krifca ka kopsitur letrat duke i dhënë Lonit të Bankersit 198 mijë euro për ndërtimin e një sere në Fier, përmes komapnisë Agventure shpk, me pronar Leonidha Çobo. Natyrisht që Loni i Bankresit nuk kishte nevojë për 200 mijë euro të Krifcës nga fondet e BE për fermerët, por grandi e ka ndihmuar Lonin të kamuflojë pastrimin e parave.
Nuk mbaron këtu. Frida Krifca, njeriu që detyroi BE-në të ndërpriste fondet për bujqësinë, i ka dhënë Lonit të Bankers edhe 284 mijë euro për një tjetër serë në Lushnje.

Loni i Bankersit i ka përfituar paratë përmes familjares së tij, Antigoni Çobo. Kjo e fundit është një nga ‘guackat’ e pastrimit të parave nga Leonidha Çobo. Nëse SPAK ose prokurori i çështjes Elion Mustafaj kanë vullnet real për të hetuar dhe zbatuar ligjin, do të zbulojnë se si Loni i Bankersit ka vjedhur dhe pastruar dhjetëra milionë euro përmes Antigoni Çobo.

Në emrin e zonjë Çobo, Loni i Bankers ka kamufluar edhe kompaninë Tea-Co shpk, përmes të cilës ka përfituar dhjetëra milionë euro nga Bankers me faturime fiktive dhe punë imagjinare. Paratë më pas janë pastruar duke i investuar në pasuri të paluajtshme.
Përmes kompanisë Albanian Fuel Station shpk, themeluar dhe mbyllur më pas nga Loni i Bankersit, janë pastruar dhjetëra milionë euro.

Është një kartel prej 20 kompanish, shumica në emra të tjerë të besuar, me të cilat Loni i Bankersit ka pastruar qindra milionë euro. Mbi 100 milionë euro të pastruara janë vjedhur përmes Bankers, me kontrata dhe fatura zyrtare, por fiktive.
Anila Denaj bllokoi ekzekutimin e gjobës 100 mln euro ndaj Bankers Petroleum
Në korrik të 2019-s, kur administrata doganore kishte aktivizuar përmbaruesit për mbledhjen e gjobës prej 80 milionë eurosh të vendosur ndaj Bankers Petroleum, një ‘urdhër nga lart’ pezullon procedurat.

Urdhri i dalë nga zyra e Anila Denajt, në atë kohë ministre e Financave dhe e Ekonomisë, që ka në varësi Drejtorinë e Doganave dhe Tatimeve justifikohej me gjoja ‘kompleksitetin e çështjes, si sa i takon volumit të dosjes, ashtu edhe të shumës që duhej mbledhur’.
“Nga shqyrtimi i materialeve…rezulton se kemi të bëjmë me një problem shumë të rëndësishem dhe të ndërlikuar, qoftë nga shifra e konstatuar, qoftë nga shtrirja kohore…Për sa më sipër, autoriteti doganor të procedojë me pezullimin e procedurës”, thuhet në vendimin e ministres Denaj.

E thënë më thjesht, ministrja urdhëroi doganat që të ndalin ekzekutimin e gjobës 80 mln euroshe ndaj Bankers Petroleum me arsyetimin se gjoba ishte shumë e madhe dhe se problemi ishte shumë kompleks.
Nga letërkëmbimi mes Bankers dhe Doganave, problemi nuk ka qenë edhe aq kompleks sa thotë ministrja. Bankers është kapur në shkelje të ligjit duke shmangur akcizën për holluesit e karburanteve.
Vlera e taksës së shmangur ishte rreth 25 milionë euro dhe sipas ligjit, Bankers gjobitej me trefishin e shumës, që shkonte në total rreth 80 mln euro.
Gjykata e Lartë rrëzoi vendimet e dy gjykatave më të ulta dhe la në fuqi gjobën, e cila bashkë me kamatëvonesat dhe penalitetet e tjera që i shtohen ka shkuar në thuajse 100 mln euro.
Bankers fsheh pronarin përfitues
Kulmi arrin kur Bankers jo vetëm nuk zbaton kontratën koncensionare dhe sajon shpenzime për të mos paguar tatim fitimin, por kompania nuk zbaton as ligjet e tjera shqiptare, siç është detyrimi ligjor për të deklaruar pronarët përfitues.

Kompania fsheh pronarët përfitues pas disa numrave dhe kodeve, duke ngritur dyshime të forta dhe veshur me përgjegjësi penale edhe QKB.
Duke fshehur pronarët përfitues, ngrihen dyshime se pas Bankers mund të fshihet edhe ndonjë politikan shqiptar dhe se paratë mund të ndahen në ofshore sipas roleve në zhvatjen 20-vjeçare të naftës shqiptare.
Shoqëria mëmë e Bankers Petroleum Albania Ltd, e themeluar në 15.04.2004 në parajsën fiskale ishujt Cayman, është BANKERS PETROLEUM INTERNATIONAL LIMITED.
Ndërkaq kompania mëmë e BANKERS PETROLEUM INTERNATIONAL LIMITED është BANKERS PETROLEUM LTD e regjistruar në Kanada.
Kompania mëmë e BANKERS PETROLEUM LTD është kompania CHARTER POWER INVESTMENT LIMITED e themeluar në dhjetor 2015 në Hong Kong.
Kompania mëmë e CHARTER POWER INVESTMENT LIMITED është GEO-JADE PETROLEUM CORPORATION e regjistruar dhe me qendër në Kinë.

Se kush është pronari i CHARTER POWER INVESTMENT LIMITED nuk dihet. Mund të jetë në Kinë, në Dubai ose në Tiranë

Në vend të pronarëve janë deklaruar disa numra:
Pronari I: 91310000MA1K335
Pronari II: 91330206MA281NW
Pronari III: 911201187916984
Shqiptarët vidhen, por nuk e dinë se kush i vjedh. Ligjet shqiptare e detyrojnë Bankers t’a deklarojë pronarin fundor, por Bankers nuk pyet për ligje dhe shtet.