Kristina Pjetri, e dashura dhe anëtarja e bandës së Fation Bushgjokës, si u kthye grupi i Kamzës në tmerrin e Tiranës, vajza seksi joshte viktimat, më pas shfaqej Fatjoni me thikë dhe pistoletë

Krim & Korrupsion

Publikuar: 17/07/2025

Kristina Pjetri, e dashura dhe anëtarja e bandës së Fation Bushgjokës, si u kthye grupi i Kamzës në tmerrin e Tiranës, vajza seksi joshte viktimat, më pas shfaqej Fatjoni me thikë dhe pistoletë

Fation Bushgjokaj, me një karrierë të gjatë në krime, është një prej personave kryesorë në akuzë për eliminimin e 23-vjeçarit Renis Dobra në Mat, mbrëmjen vonë të 8 korrikut. I pyetur nga hetuesit, më i madhi prej 3 vëllezërve tropojanë nën akuzë, pranon se viktimën e ka njohur më herët në Gjermani, dhe bashkëpunuan muaj më parë në trafikun e drogës. Bushgjokaj pranoi para hetuesve se me Dobrën kishin nisur konflikte në biznesin e errët të drogës, por që sipas tij tashmë janë sqaruar.

Fation Bushgjokaj ka një karrierë kriminale 15-vjeçare si grabitje me dhunë, vjedhje, rrëmbime, trafik droge, arratisje etj. Në vitin 2017, Fation Bushgjokaj krijoi bandën e grabitjes me dhunë. Pjesë e saj ishin vëllai i tij Aleksandër Bushgjokaj, vëllai tjetër Ndue Bushgjokaj, shoku i tyre Elton Leka dhe një vajzë e quajtur Kristina Pjetri, në atë kohë 22-vjeçe. Banda ishte kthyer në tmerrin e qytetarëve në periferi të kryqytetit, Kamëz, Laknas, Laprakë etj.

Kristina Pjetri, e arrestuar në prill të vitit 2017 dhe e dënuar më pas nga gjykata, ishte e dashura e Fation Bushgjokës. Nën udhëzimet e Fatjonit, ajo kishte një rol të veçantë. Ajo pikaste qytetarët dhe u afrohej, duke u kërkuar telefonin celular, me arsyetimin se ishte vonë dhe duhet të lajmëronte nënën e saj. Në këtë moment, afrohej i dashuri i saj, Fatjoni, vëllai i tij, Aleksandri dhe Elton Leka, të cilët përmes dhunës i zhvatnin shënjestrës se tyre sendet me vlerë, si celularë, varëse apo portofolin. Më pas grupi largohej me një makinë tip “Fiat”.

Kam marrë pjesë në 3 vjedhje në 29 mars dhe dy në 1 prill. U binda nga Fatjoni, i dashuri im pasi e doja shumë. Kisha rreth dy javë që isha lidhur me të, por e doja. Në grabitjen e fundit pamë që po na ndiqte dikush dhe menduam se ishte policia. Por pasi u larguam menduam se shpëtuam. Kur u larguam i thashë Fatjonit se nuk mund ta bëjmë më këtë gjë. Nuk doja të isha më pjese e atyre veprimeve. U kërkoj falje 3 burrave që i mashtrova, por e bëra vetëm për Fatjonin”, tha Pjetri para hetuesve.

Fatjon Bushgjokaj, dhe e dashura e tij, Kristina Pjetri, e cilësonin njëri-tjetrin si Bonnie e Clyde, (çifti i famshëm i grabitësve amerikanë), ndërkohë që grabitjet e tyre tmerruan Tiranën. Në profilet e të dyve në “Facebook” shihej një foto e duarve bashkuar në makinë, ndërsa Pjetri kishte një foto çift, “Bonnie e Clyde”.

Kristina Pjetri u dënua me burg për vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim. I dashuri i saj, i dënuar edhe më parë për vjedhje, u dënua me 6 vite burg. Në tetor të vitit 2019, Bushgjokaj u arratis nga Burgu i Rogozhinës. Ai kishte dalë me leje dhe nuk u kthye më në burg.

Ndaj Bushgjokës ka pasur një masë sigurie arrest me burg edhe në vitin 2021 nga Gjykata e Kurbinit për grabitje me dhunë të një ish-efektivi të policisë së burgjeve. Bushgjoka mësohet se e kishte faturuar punonjësin e burgjeve si taksist (punonte edhe si taksist) për t’a dërguar në Mamurras, por kur janë afruar në një zonë të pabanuar e ka dhunuar me sende të forta dhe i ka marrë automjetin e më pas janë larguar.

Pas këtyre bëmave, Bushgjoka u zhvendos në Gjermani duke krijuar një bandë të trafikut dhe shpërndarjes së kokainës. Pjesë e bandës së tij besohet se ishte edhe 23-vjeçari Renis Dobra, me të cilin ka pasur mosmarrëveshje.