Sali Berisha, i cili nuk është kursyer në akuza dhe sulme ndaj drejtësisë që prej momentit kur u mor nën hetim për dosjen “Partizani”, bëri sot një përjashtim për prokuroren Elsa Gjeli, të cilën e mori në mbrojtje, pas këmbënguljes së Qeverisë për hetim disiplinor të saj për mënyrën sesi hetoi çështjen e Thethit.
“Prej dy javësh ajo po merret me një prokurore të re që kishte zbatuar ligjin dhe jo vullnetin e kryeministrit. Dhe tani po bëhet luftë se si ta shkarkojnë dhe ta shajnë.
Këto reforma, të cilat i dhanë qeverisë kontrollin e gjyqësorit po shkatërrojnë vendin dhe janë shumë të dëmshme për demokracinë në Shqipëri”,– tha Berisha gjatë fjalës së tij në konferencën “The Western Balkan Paradigm” që mbahet në Tiranë.
Kur vjen fjala tek drejtësia, Berisha nuk ka standard të njëjtë, pasi mori në mbrojtje prokuroren Gjeli, por sulmoi prokurorët e SPAK.
“Kemi një prokurori të posaçme, pothuajse identike me kohën e diktaturës. Pse? Sepse prokuroria e posaçme në shkelje të çdo parimi ka të drejtë të vendosë përgjime për cilido gjykatës që përdor dosjet dhe gjyqtari vendos që vendimin që do marrë do jetë siç do prokurori”, shtoi Berisha.