“Ishte serioz dhe natyrë ambicioze” – Bamir Topi tregon njohjen me Berishën dhe komenton fitoren e mandatit të katërt nga Rama: E frikshme…

Politikë

Publikuar: 15/07/2025

“Ishte serioz dhe natyrë ambicioze” – Bamir Topi tregon njohjen me Berishën dhe komenton fitoren e mandatit të katërt nga Rama: E frikshme…

Bamir Topi u bë pjesë e PD-së së drejtuar nga Sali Berisha që në vitet ’90. Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Topi tregoi se për Berishën i kishte treguar vëllai i madh, mjeku Flamur Topi, sepse ishin bashkë në një shkollë. Ai zbuloi edhe se si e bindi Berisha që të futej në qeverinë e drejtuar nga ish-kryeministri Aleksandër Meksi, pas zgjedhjeve të 26 majit 1996. 

“Në vitin 1990 isha në Institutin e Kërkimeve Veterinare, shef departamenti, pas një periudhe doktorature dhe fizikisht isha në Institut, por mendjen e kisha se çfarë po ndodhte. Takimet dhe ofertat kanë qenë të forta që në vitin 1992.

Në vitin 1996 Berisha më tha të kandidoja për PD-në.  Në vijim të bisedave që kishim patur që më parë, tani, tha ai ka ardhur koha, se besoj edhe karrierën akademike e ke mbyllur. Unë në vitin 1995 sapo kisha marrë titullin profesor. Berisha ishte shok me tim vëlla, Flamurin, që në Teknikumin Mjekësor dhe meqë shtëpia jonë ishte në qendër të Tiranës, sipas rrëfimeve të Flamurit, vinin në shtëpinë tonë.

Berisha më dukej një njeri jashtëzakonisht i motivuar, serioz dhe natyrë ambicioze për misionin që kishte.

Kur mora në drejtim Institutin e Mjekësisë Veterinare gjendja ishte skandaloze sepse ishte prishur gjithçka dhe solla frymën e organizimit që kisha parë në Itali. Në vitet 1992-1996 instituti ishte bërë lider, por nuk vazhdoja dot më tej se pengohesha nga konjukturat në ministrinë që mbulonte institutin. Pastaj u emërova ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit.

Kur vinin delegacionet e huaja në Shqipëri kishin shqetësim për atë që po ndodhte në vend në vitin 1996 me firmat piramidale që po dilnin jashtë kontrollit dhe ne bisedat i bënin mes kolegëve dhe kryeministrin Meksi.

Po të kishin ndërhyrë për t’i mbyllur firmat piramidale, nuk do të kishte ndodhur ajo që ndodhi në vitin 1997, me rrënim financiar, revoltë popullore, shfrytëzim politik nga opozita e asaj kohe. Viti 1997 ka faktorë multidimensionalë”- tha Topi.

“E frikshme vazhdimësia e pushtetit të një personi”, Bamir Topi komenton fitoren e mandatit të katërt nga Edi Rama

Bamir Topi foli për mandatin e katërt të Ramës. Ai u shpreh mjaft kritik duke bërë paralelizëm me sistemin e kaluar totalitar dhe kultin e njëshit. Topi tha se pushteti i Ramës buron nga marreveshja me Berishën në vitin 2008 dhe ata ndajnë pushtetet, njëri në pozitë dhe tjetri në opozitë.

“Rama është kryeministri dhe kryetari i maxhorancës dhe në mënyrë absolute nuk kam patur asnjë nevojë për Edi Ramën. Në jetën politike ka penguar projektin që unë të shkoja në krye të shtetit në vitin 2007.

Kam zero përfitim nga mandati i tij. Sot ai i ka marrë të gjithë pushtetet nga marrëvshja e vitit 2008.    

Këto ide të tij si shteti bektashi janë projekte ekstravagante. Duhet të shkojë në OKB dhe të deklarojë atje nga tribuna projektin për shtetin bektashi. Si ka mundësi që të deklarohet një projekt kur në këtë vend, kur janë gjëra kaq të rëndësishme për një vend, duhet të diskutohet, të merren strukturat, apo të shkohet edhe te zgjedhja referendare që ne e kemi harruar.

Ky është një vend i vogël që i kaluar një herë një sistem. Duket sikur po shkojmë te gjurmët e pushtetit të njëshit. Do ta konsideroja të frikshme idenë e vazhdimësisë së pushtetit të një personi. 

Demokracia nuk po ndihet të ekzistojë më sepse janë në komoditet njëri në pushtet tjetri monopolist i 25 partive.  Është çështja e mbajtjes së pushtetit kur ndodhin paradokse të mëdha. Sa më shumë problem të ketë aq më shumë mandate merr.

Është një klimë që në mjekësi quhet proces i organizuar, i kalçifikuar dhe nëse nuk hiqet me kirurgji nuk ka recetë që e shëron”- tha Topi.