Lapaj bëri fushatë për kandidat tjetër në Fier?/ Azmer Duleviç largohet nga “Shqipëria Bëhet”

Aktualitet

Publikuar: 10/07/2025

Lapaj bëri fushatë për kandidat tjetër në Fier?/ Azmer Duleviç largohet nga “Shqipëria Bëhet”

Kandidati i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” në Fier, Azmer Duleviç, i cili humbi mandatin për deputet në zgjedhjet e 11 majit me një diferencë të vogël votash, ka njoftuar largimin nga partia me të cilën kandidoi.

Përmes një mesazhi publik, Duleviç ka bërë të ditur se ka vendosur të tërhiqet nga angazhimi politik në këtë forcë, duke e cilësuar këtë si një vendim personal.

“Të nderuar miq, dua t’ju vë në dijeni se jam tërhequr nga angazhimi politik me Lëvizjen Shqipëria Bëhet. Kjo është një zgjedhje personale, që reflekton një fazë të re të jetës sime dhe dëshirën për të kontribuar ndryshe. Bashkë do të shihemi më të fortë! Ju falënderoj për çdo mbështetje dhe bashkëpunim!”, shkruan Duleviç.

Ndonëse nuk është bërë publike, mësohet se ka qenë pakënaqësia e Duleviç ndaj Adriatik Lapaj ajo që e ka shtyrë atë për të dhënë dorëheqjen, për shkak se, pavarësisht listës së hapur, mësohet se Lapaj nuk e ka respektuar rregullin e vendosur dhe ka bërë fushatë për një kandidat tjetër të listës së Fierit.