Sot në qendër të Kavajës u inaugurua shtatorja e Josif Budos, me rastin e 35-vjetorit të rënies së Dëshmorit të Parë të Demokracisë. I pranishëm në ceremoni ishte kreu i PD-së, Sali Berisha, dhe figura të tjera demokrate, mes të cilëve edhe Ervin Salianji, i cili sapo ka dalë nga burgu i Fierit.
Teksa foli për rënien e dëshmorit, Berisha përdori ceremoninë për të sulmuar kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar si një diktator më të fuqishëm sesa regjimi komunist. Për Berishën, Rama është një diktator ‘modern’, që po shëtit me atlete të bardha në samite dhe po largon të rinjtë.
“Ju u kujtohet, situata e sotme me vitet ’90 në disa aspekte është vite drite larg. Por në disa të tjera është po aq e zezë sa ç’ishte në vitin 1990. Nuk kishte pushtet më shumë diktatori i fundit se sa ç’ka sot narkodiktatori Ramaduro. Nuk ka urrejtje më të pakët Ramaduro i sotëm ndaj Kavajës, ndaj Shkodrës, se sa ç’kishte Ramiz Alia, diktatori i fundit, ndaj tyre. Nuk kishte urrejtje më të madhe për të rinjtë shqiptarë Ramiz Alia se sa ç’ka sot Ramaduro i Tiranës. Ai i përzuri, siç u kujtohen ju eksodet, kurse ky narkodiktator që shëtit në samite me atlete të bardha, i përzë çdo ditë dhe në 10 vite ka shkretuar kombin nga të rinjtë e vet sa asnjë pushtim tjetër në tërë historinë e tij të lashtë. Në disa aspekte duhet të jemi realistë, kombi është i rrëzuar përdhe”, tha Berisha.
Për të ‘ilustruar’ akuzat ndaj Ramës, kreu i PD-së përmendi burgosjen e Salianjit, ndërsa i doli në mbrojtje, edhe pse nuk e priti në selinë blu kur doli nga burgu. Sipas Berishës, ai u dënua vetëm sepse ish-deputeti ekspozoi mbrojtjen e kryeministrit Rama dhe Fatmir Xhafës ndaj vëllait të këtij të fundit.
“Çfarë mund t’i bëjë një armik tjetër një kombi se sa u bën Ramaduro shqiptarëve? Sigurisht jetohet në një kohë tjetër dhe ai nuk ka më skuadra pushkatimi, por ka banda pushkatimi. Ai burgos kundërshtarët. Ervin Salianji foli këtu sepse dënoi mbrojtjen që Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama i bënin Geron Xhafës për trafiqet e Vlorës.”, tha Berisha.
Bëri edhe një krahasim për ‘rrëmbimin’ dhe arrestimin e Ilir Metës.
“A ka ndonjë dallim të madh varja në litar e Havzi Nelës në vitin 1988 me nxjerrjen brutale dhe rrëmbimin nga makina e tij, goditjen dhe zvarritjen në rrugë të kundërshtarit politik pas 37 viteve të Edi Ramës? Sigurisht ai vdiq, por edhe ky jo vetëm që e terrorizoi, por terrorizoi një popull të tërë.”, shtoi Berisha.
Në fund, Berisha tha se dëshmori Josif Buda do t’i frymëzojë në betejën e tyre për të rrëzuar qeverinë dhe për t’u rikthyer besimin shqiptarëve.
“Sot çdo shqiptar duhet të nderojë Josif Budën, gjakun e tij, sakrificën e tij, me një betim solemn se nuk do pajtohemi kurrë me këtë regjim. Se Josif Buda do na frymëzojë në një përpjekje të re për të rikthyer dinjitetin e shqiptarëve, për të rikthyer shpresën, besimin.”, tha Berisha.