Salianji kërkon lirimin me kusht, sot seanca në gjykatën e Fierit! Do të paraqitet raporti i shërbimit të provës

Aktualitet

Publikuar: 08/07/2025

Salianji kërkon lirimin me kusht, sot seanca në gjykatën e Fierit! Do të paraqitet raporti i shërbimit të provës

Mbahet sot në Gjykatën e Fierit seanca për shqyrtimin e kërkesës së ish-deputetit të PD, Ervin Salianji për lirimin me kusht nga burgu. Shërbimi i Provës do paraqesë raportin e saj në bazë të të cilit do të vendoset për pranimin ose rrëzimin e kërkesës për lirim me kusht të ish-deputetit demokrat.

Salianji ndodhet i izoluar në burgun e Fierit prej muajit tetor të vitit të kaluar. Ish-deputeti u shpall fajtor me vendim të formës së prerë për kallëzim të rremë nga gjykata e Apelit për dosjen ‘Babale’, duke e dënuar me 1 vit burg. Ai e cilësoi procesin si të montuar dhe e quajti veten një të dënuar politik.

Ervin Salianji u dënua për kallëzim të rremë, pasi në 2018-ën publikoi materiale të prezantuara si audio-përgjime, përmes së cilave pretendonte se vëllai i ministrit të Brendshëm atë kohe, Fatmir Xhafaj ishte i përfshirë në trafikun e drogës.

Por, nga hetimet e rezultoi se e gjitha ishte një material i montuar, dhe biseda me dëshmitarët e rremë ishte e tëra e simuluar për të ngarkuar vëllain e ish-ministrit.