‘Gjelat’ e prokurorisë Shkodër në ‘kotecin’ e vrasësit me pagesë Prek Kodra, Berisha u del në mbrojtje pas përlasjes me Ramën për plojën mjedisore në Theth

Krim & Korrupsion

Publikuar: 08/07/2025

‘Gjelat’ e prokurorisë Shkodër në ‘kotecin’ e vrasësit me pagesë Prek Kodra, Berisha u del në mbrojtje pas përlasjes me Ramën për plojën mjedisore në Theth

Ngritja e një ‘fshati turistik’ me kabina pa leje nga vrasësi me pagesë Prek Kodra në zonën e mbrojtur të Thethit, ka përplasur kryeministrin Edi Rama me Prokurorinë e Shkodrës. Prokurorja e re Elsa Gjeli nuk hapi një hetim për krimin mjedisor në Theth me pretendimin se nuk kishte vepër penale, ndërkohë që mjafton vetëm një fotografi për të dëshmuar plojën mjedisore në zonën e mbrojtur. Sipas Gjelit të Shkodrës ndërtimi pa leje nuk mund të konsiderohet i tillë, pasi nuk kishte themele dhe se kabinat mund të lëviznin.

Dosja ‘Metarmofoza’ tregoi se si grupet kriminale në Shkodër kishin kapur dhe kontrollonin segmente të Prokurorisë dhe Gjykatës. Prek Kodra, i cili ngritin ‘fshatin turistik’ pa leje në Theth është një figurë e njohur e krimit të organizuar. Kodra, i skeduar si vrasës me pagesë, në një dokument të Njësisë Kundër Terrorizmit të Kosovës, rezulton se kishte planifikuar për të vrarë me snajper kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe 2 politikanë të tjerë të njohur në Prishtinë.

Kodra është shpallur në kërkim për dy nga dosjet më të bujshme të SPAK, njëra si pjesëtar i organizatës kriminale të Suel Çelës në Elbasan që e përfshiu në atentatin ndaj Ardian Çapjas, duke e plagosur rëndë. Masa e dytë për Kodrën në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, në akuzë për disa ngjarje kriminale.

Kodra rezulton si qitës me pagesë që rekrutohej nga grupet kriminale për të hequr qafet rivalët. Autoriteti i tij në botën e krimit ishte rritur për shkak të saktësisë në qitje, qetësisë dhe vullnetit për të kryer krime. Ai kishte lidhje të forta me grupin kriminal Bajri dhe Pëllumb Gjokën, por kryente ‘porosi’ edhe për llogari të Suel Çelës.

Në këtë kuadër, ka dyshime të forta se vrasësi me pagesë i ka futur lehtësisht ‘në kotecin’ e tij ‘gjelat’ e Prokurorisë së Shkodrës. Dyshimet shtohen kur në mbrojtje të justifikimit qesharak dhe diskretitues të prokurores Elsa Gjeli, për të mos nisur hetimet, doli zyrtarisht Prokuroria e Shkodrës, e cila drejtohet nga Albert Murçaj.

Në një reagim për mediat, Prokuroria e Shkodrës thotë se për rastin në fjalë, nga faktet që ka referuar Policia e Shtetit, nuk përbëjnë ndërtim të paligjshëm. Prokuroria thotë se strukturat kanë qenë kontenjerë të përkohshëm pa themele, të vendosura mbi pllaka guri, dhe si të tilla nuk përmbushin kriteret për të konsideruar objekt ndërtimi. Prokuroria nuk harron të na kujtojë se është e pavarur dhe i kërkoi Ramës të mos ushtrojë presion.

Respektimi i ndarjes së pushteteteve është themel i funksionimit të shtetit demokratik dhe se ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv në proceset vendimmarrëse të insitucioneve të drejtësisë, qofshin ato edhe përmes komenteve publike, mund të përceptohen si presion mbi institucionet e drejtësisë dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në këto institucione“, thotë Prokuroria.

Ndërkaq, në mbrojtje të ‘gjelave’ të Shkodrës, vrasësit me pagesë Prek Kondra dhe ndërtimit pa leje në Theth ka dalë Sali Berisha. Berisha mbrojti vendimin e prokurorisë për të mos nisur hetimet ditën që doli edhe në mbrojtje të aferës së kompanisë Bankers, me kosto 5.5 miliardë euro.

Çlirohet sheshi

Thuajse 24 orë pas nisjes se aksionet të IMT, sheshi pranë kishës simbol të qendrës së Thethit, është i tëri i boshatisur. 10 kabinat që ishin të vendosura në këtë shesh në afërsi të Kishës, janë hequr nga IMT dhe Policia Bashkiake. Aksioni për të ‘shëruar’ Thethin, siç u quajt edhe nga kryeministri Edi Rama, nisi prej ditës së djeshme, pasi kabinat u denoncuan nga Rama si ndërtim pa leje, çka çoi edhe në një përplasje verbale mes tij dhe Prokurorisë së Shkodrës.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme kanë mbërritur edhe grupet e punonjësve të Bashkisë Shkodër për pastrimin dhe sistemimin e plotë të sheshit, i cili do të jetë në funksion të publikut, ngjitur me kishën shekullore, simbol i fshatit dhe destinacion i mijëra turistëve në çdo stinë.