Detaje të reja nga aksidenti tragjik që i mori jetën Diogo Jota-s 

Aktualitet

Publikuar: 08/07/2025

Detaje të reja nga aksidenti tragjik që i mori jetën Diogo Jota-s 

Futbollisti Diogo Jota ka qenë duke drejtuar makinën kur ai dhe vëllai i tij Andre Silva vdiqën në një aksident me makinë, tha policia spanjolle.

Futbollisti i Liverpool-it dhe baba i tre fëmijëve vdiq së bashku me vëllain e tij, gjithashtu futbollist, pasi Lamborghini me të cilin po udhëtonin shpërtheu në flakë pas një shpërthimi të dyshuar të gomës në orët e para të së enjtes, 3 korrik, në Zamora të Spanjës.

Një zëdhënës i Guardia Civil të Zamorës tha se testet që po kryheshin nga divizioni i trafikut treguan se Jota po drejtonte makinën në atë kohë, duke shtuar se “gjithçka tregon gjithashtu një tejkalim të mundshëm të shpejtësisë”. Zëdhënësi tha se makina mendohet se po udhëtonte mbi shpejtësinë e lejuar në rrugë, të cilën mediat lokale raportojnë se është 120 km/orë.

Zëdhënësi tha: “Raporti i ekspertit është duke u kryer dhe përfunduar, ku ndër të tjera po studiohen shenjat e lënë nga njëra prej rrotave të automjetit”. “Gjithçka tregon gjithashtu një tejkalim të mundshëm të shpejtësisë mbi shpejtësinë e lejuar të rrugës”.

“Të gjitha testet e kryera për momentin tregojnë faktin se drejtuesi i automjetit ishte Diogo Jota”, zbuloi ai.

Raporti nuk është finalizuar ende, por do t’i dorëzohet gjykatës në qytetin Puebla de Sanabria, Zamora.

Jota dhe Silva u gjetën të vdekur pasi makina u përplas në autostradën A-52 në Palacios de Sanabria pranë qytetit të Zamorës në orën 12:40 të mëngjesit të enjten.

Fotografitë e pasojave të aksidentit treguan mbetje të shpërndara përgjatë rrugës, përfshirë ato që dukeshin të ishin pjesë të djegura të automjetit.

Futbollistët, familjarët dhe tifozët u mblodhën për funeralin e vëllezërve, i cili u zhvillua në Portugali, vendin e tyre të lindjes, të shtunën.

Partnerja prej shumë kohësh e Jota-s, Rute Cardoso, me të cilën ai ishte martuar vetëm 11 ditë para aksidentit, ishte e pranishme, si dhe prindërit e tij.

Homazhe vërshuan nga e gjithë bota.