Gogu i përgjigjet Tabakut: E vetmja vjedhje më 11 maj ishte ajo brenda kandidatëve të PD-së, nisi që me Primaret

Politikë

Publikuar: 03/07/2025

Gogu i përgjigjet Tabakut: E vetmja vjedhje më 11 maj ishte ajo brenda kandidatëve të PD-së, nisi që me Primaret

Deputeti socialist, Toni Gogu, iu përgjigj koleges Jorida Tabaku, e cila tha se integrimin e Shqipërisë e pengonte mazhoranca me farsën zgjedhore.

Ai i kujtoi se raporti i Brukselit nuk thotë se zgjedhjet u manipuluan, por se ishin konkurruese e se opozita pretendon se ato janë vjedhur.

Ligjvënësi socialist u shpreh se e vetmja vjedhje më 11 maj ishte ajo brenda kandidatëve të PD-së, që gjithashtu u vodhën edhe në Primaret e partisë.

“Të marrësh dhe të keqcitosh raportet e BE-së nuk i bën nder këtij diskutimi. Deri tani ishim korrekt, raportet e BE për Shqipërinë kanë qënë këto: Zgjedhjet kanë qenë konkurruese, forcat politike dhe kandidatët kanë pasur mundësi të konkurrojnë, profesionale, profesioniste.

Dhe patjetër që fusha ka nevojë të nivelohet, njëlloj siç ka nevojë të nivelohet në vende të tjera për të arritur standardet në një demokraci dhe aq më tepër një demokraci si e jona që është në ndërtim.

Raporti thotë, pjesëtarë të opozitës pretendojnë se zgjedhjet janë vjedhur etj. etj., ku të gjithë shqiptarët në dritën e diellit panë se çdo kuti ishte ajo më 11 maj dhe të vetmit të vjedhur ishin kandidatët e opozitës, që u panë, e kjo filloi që me Primaret.

Po thonë opozitarët që na kanë vjedhur. Por ata nuk e dinë që kjo kënga e opozitarëve ka nisur që në 90-tën. Kjo ishte paralajmëruar, që do i ngjajë prognozës së humbësve, në fillim do festojnë, pastaj do thonë na kanë vjedhur, do marrin çantat, do shkojnë në Strasburg ku do ankohen e kështu do vazhdojë”, tha Gogu.

Ky reagim i Gogut erdhi pasi deputetja Tabaku iu kundërpërgjigj me replikë fjalimit të kolegut socialist, i cili akuzoi opozitën për nxirjen dhe baltosjen e Shqipërisë në Europë si një vend narkoregjim.

Ajo tha se Gogu dhe PS nuk duhet të shqetësohen për opozitën, por për korrupsionin dhe mungesën e standardeve dhe zgjedhjeve farsë të 11 majit.

“Mos ia qani hallin farë opozitës zoti Gogu, mos u shqetëso aspak për opozitën. Ti duhet të shqetësohesh për baltën ndaj Shqipërisë, për zgjedhjet e manipuluara në raportet që lexohen atje në Parlamentin Evropian, shqetësohu për korrupsionin dhe këtu citoj raportin që do lexohet më 9 korrik. Shqetësohu për baltën që ka hedhur mazhoranca dhe jo opozita.

Opozita e ka kryer detyrën e saj me përsosmëri. Nuk është bllokuar ky proces asnjëherë prej nesh, por prej jush. Prej mungesës së standardeve, ashtu siç do e bllokoni për zgjedhje, as në standarde ballkanike. Duhet të shqetësoheni për mungesën e standardeve, sepse nuk janë plotësuar, për këto duhet të shqetësoheni ju dhe jo për hallet e opozitës. Opozita i zgjidh vetë hallet e saj”, tha Tabaku.