Pas debatit që zhvilluan në distancë për akuzat se në Britani një në 50 shqiptar ndodhet në burg, deputeti britanik Nigel Farage ka pranuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për të vizituar Shqipërinë.
Krahas një videoje që ka ndarë në rrjete sociale, teksa i qëndron me ‘kokëfortësi’ akuzave të tij, Farage bën me dije se do të diskutojnë kthimin e të burgosurve, duke “këmbëngulur” se ka fituar “bastin” dhe se Rama do të duhet që të marrë mbrapsht të gjithë të burgosurit, ashtu sikurse edhe deklaroi disa ditë më parë.
“E pranoj ftesën e kryeministrit Edi Rama për të vizituar Shqipërinë si i ftuar nderi. Do të diskutojmë kthimin e të burgosurve shqiptarë.”, ka shkruar Farage krahas videos, në të cilën rithekson komentet e tij të ditëve të fundit.
“Nuk mund ta shpikësh këtë! 1 në 50 shqiptarë në Britani është në burg dhe unë fola për këtë ditën e kaluar në GB Neës. Edi Rama, njeriu gjigant që ai është, kryeministri i Shqipërisë, ka reaguar dhe ka thënë që është një absurditet i plotë, shifrat e mia janë të gjitha të gabuara. Ai gjithashtu tha se si guxojmë ne si vend të mendojmë për dërgimin jashtë vendit të njerëzve që nuk i kanë plotësuar kërkesat për azil. Ndërkohë, vetë ai po bën një marrëveshje me Italinë për të marrë disa nga azilkërkuesit e tyre të dështuar dhe çfarë është kjo hipokrizi nga ky kryeministër pro BE dhe anti Brex-it”, thotë mes të tjerash Farage. Përplasja në distancë nisi pas reagimit të ashpër të Farage lidhur me një deklaratë të kryeministrit Edi Rama për The Guardian se plani i Keir Starmer për të dërguar azilkërkuesit jashtë vendit tregon se Britania post-Brexit ndodhet në “një vend shumë të errët”.
Farage u kundërpërgjigj përmes një interviste në GB News, ku tha se në Britaninë e Madhe shqiptarët janë aktorë kryesorë në kriminalitet, duke pretenduar se 1 në 50 shqiptarë janë në burg. Kreu i qeverisë shqiptare e sfidoi për një përballje shifrash reale, ndërsa u zotua se nëse pretendimi i tij rezulton i vërtetë, atëherë ai do t’i marrë të gjithë në Shqipëri. I bindur se shifra e Farage nuk qëndron, Rama tha se nuk pret të marrë nga ai ndjesë, por e ftoi që të vinte në Shqipëri të njihte në të vërtetë popullin shqiptar.
Pasi Farage reagoi duke thënë se në fakt ishin në burg një në 48 shqiptarë, Rama e kundërshtoi sërish, duke thënë se një në çdo 100 shqiptarë janë të arrestuar, për shkak se numri i shqiptarëve në Angli është 140 mijë dhe jo 53 mijë, siç pretendoi Farage.
