Në Vlorë është hapur një nga procedurat më të debatueshme dhe korruptive të viteve të fundit për transformimin e një prone publike – që u zaptua dhe u ndërtua pa leje – në pronë të mundshme ndërtimi me vendim institucional.
Pas një ndërtimi të paligjshëm në zonën e Ujit të Ftohtë, që u shemb nga IKMT, dhe pas një kallëzimi penal të regjistruar ndaj ndërtuesit Mojsi Lazaj, Këshilli Bashkiak i Vlorës miratoi me 29 vota pro fillimin e procedurës për t’i kaluar ndërtuesit tokën publike.
Kjo nuk është ende falja zyrtare – por është hapi i parë në një zinxhir të gjatë institucional që mund të çojë në legalizimin e një ndërtimi të paligjshëm përmes procedurash të strukturuara. Ndërtuesi problematik Moisi Lazaj njihet si lidhje klienteliste e kryetarit të Bashkisë Ermal Dredha, i cili në vend që të merret me punët e qytetit, por merret me pasurimin e tij. Në këmbim të grabitjes së ponës publike, Ermal Dredha dyshohet se do të përfitojë disa apartamente nga Moisi Lazaj.
Procesi ligjor për kalimin e pronës publike përfshin këto faza:
Skema nisi me përfshirjen në rend dite të tre parcelave: dy për lulishte në qendër të qytetit dhe një – ajo ku kishte ndodhur ndërtimi i paligjshëm – për zhvillim.
Këshilltarët Klodian Xhyheri, Myzafer Elezi dhe disa të tjerë e denoncuan publikisht këtë përpjekje për të maskuar vendimin real me “hapësira të gjelbërta”.
Drejtori juridik i bashkisë, Dorian Demiri, gjatë mbledhjes pranoi se dy pronat e para ishin “mbulim” për të kaluar pronën e tretë, që përkonte me ndërtimin e shembur. Këshilltarëve që kërkuan sqarime dhe garanci ligjore për transparencë, iu mohua fjala, dhe vendimi u kalua me votë të shpejtë.
Kontrasti është i fortë: vetëm një ditë para mbledhjes, IKMT kishte vendosur gjobë ndaj ndërtuesit, kishte bllokuar rrethimin dhe kishte vlerësuar ndërtimin si të paligjshëm. Disa orë më vonë, pushteti vendor nisi rrugën e zyrtarizimit të pronës së zaptuar.
Ndërkohë, burime të sigurta konfirmojnë se SPAK është vënë në dijeni të kësaj skeme dhe të dokumenteve përkatëse, përfshirë lejen ekzistuese të ndërtimit të firmës “Lazaj 2002”, ku rezulton një tjetër parcelë brenda projektit, e cila në Kadastër figuron si “pronë shtet”, ndërsa për qëllime ndërtimi është paraqitur si “pronë private”.
Ky është rasti ku një ndërtim pa leje, i fshehur me dhe dhe i shembur nga IKMT, nuk ndëshkohet – por hyn në rrugën e legalizimit përmes institucioneve.
Në një shtet ligjor, ky rast do të ishte ndalur në hallkën e parë. Në Vlorë, ai përparon përmes çdo vendimi dhe nën çdo firmë.