Ndryshojnë interesat, mbështetjet në prapaskenë dhe lufta e ftohtë për zgjedhjen e drejtusit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit. SPAK ka bërë sot publik emrat e shtatë kandidatëve që kanë kaluar në fazën e dytë të garës për zgjedhjen e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Sipas SPAK, nga 13 kandidatë gjithsej kanë kaluar: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta, të cilët do të vazhdojnë konkurimin për fazat e tjera të procesit.
Ndërkohë, janë skualifikuar: Astrit Halilaj, Haki Çako, Maoricio Sheldija, Marinela Pilinçi, Miklovan Kanani dhe Nevrus Ndregjoni. Mes kandidatëve të skualifikaura, Haki Çako ishte një kandidat potencial dhe që kishte mbështetjen e qeverisë për të drejtuar BKH-në.
Me përshatimin e Çakos, dy kandidatët që kanë baza të forta për të drejtuar BKH-në janë Joni Keta dhe Elton Kërluku. Komisioni që do të votojë kualifikimin e kandidatëve në fazën tjetër, për t’i paraqitur për votim në KLP, përbëhet nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra.
Prapaskena mëson se Altin Dumani ka shprehur vullnetin dhe pëlqimin e tij për të mbështetur dhe emëruar në krye të BKH-së kandidatin Elton Kërluku. Fillimisht përlitej se Dumani mbështeste Joni Ketën, por duket se mbështetjen e Dumanit e ka siguruar vetëm Kërluku. Ky i fundit përfaqëson ambicien e atyre që duan rritje nga brenda dhe që besojnë në forcimin e institucionit me profesionalizëm e meritokraci.
Një profil teknik me orientim të qartë drejt hetimeve të specializuara kryesisht në fushën e korrupsionit, Elton Kërluku ka eksperiencë në hetimin financiar, pra në ndjekjen e rrugës së parave. Kërluku ka fituar besimin e Dumanit dhe besohet se ka kontribut në zbërhtimin e disa aferave korruptive.
Përballë Kërlukut është Joni Keta, i cili është djali i prokurorit Hysen Keta, i cili mban postin e këshilltarit të etikës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Joni Keta është djali i lektores së filozofisë, Majlinda Keta dhe nipi i ish kreut të SHISH, Bahri Shaqiri.
Joni Keta e ka nisur karrierën në Prokurorinë për Krime të Rënda, si OPGJ. Keta ishte ndër të parët që iu bashkua BKH-së dhe besohet se e njeh mirë se si funksionon struktura hetimore që mbështet SPAK-un. Në vitin 2024, Keta garoi për postin e zëvendësdrejtorit dhe doli fitues mes disa kandidatëve. Sot, me përvojë të konsoliduar në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, Keta kërkon të marrë drejtimin e plotë të “FBI-së shqiptare”.
Besohet se Keta ka mbështetjen e Arben Krajës, ish drejtues i SPAK-ut, i sulmuar fort nga Sali Berisha. Në këto rrethana, duket se vota e Behar Dibrës do të jetë vendimtare për kandidatin që do t’i propozohet KLP-së. Në fund, kreu i BKH-së do të zgjidhet nga KLP-ja.
Në garë për drejtimin e BKH-së është edhe Gledis Nano, ish drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, një kandidat që në rrethana të tjera, ndoshta do të ishte zgjedhur me lehtësi në krye të BKH-së. Gledis Nano ka një avantazh në raport me rivalët: Ka mbështetjen e SHBA-BE. Gledis Nano konsiderohet një bashkëpunëtor i sprovuar dhe i besueshëm i partnerëve ndërkombëtarë, ndonëse nuk dihet nëse Ambasada Amerikane në Tiranë do të angazhohet si më parë në procesin e zgjedhjes së kreut të BKH-së dhe më pas të SPAK-ut.