Meta “shet” Monikën në sallën e gjyqit: E ndava pasi e kapa duke vjedhur, karakteri im nuk e duron korrupsionin

Krim & Korrupsion

Publikuar: 26/06/2025

Meta “shet” Monikën në sallën e gjyqit: E ndava pasi e kapa duke vjedhur, karakteri im nuk e duron korrupsionin

GJKKO ka marrë vendimin për të lënë në fuqi masën e arrestit me burg ndaj ish-presidentit Ilir Meta, pasi ky i fundit kërkoi ndryshim të masës. Pasi SPAK depozitoi në GJKKO prova të reja për çështjen e Metës, ky i fundit mori vetë pjesë në seancën e radhës ku kërkoi zëvëndësim të masës arrest me burg. Mbrojtja e kreut të Partisë së Lirisë kundërshtoi provat e reja të SPAK, duke i hequr Metës çdo lloj përgjegjësie për lobimin e LSI në SHBA.

Sa i takon episodit të ri të korrupsionit që SPAK dyshon se ish-çifti Meta-Kryemadhi kanë përdorur një kartë bankare për blerje e shpenzime jashtë vendit të dhënë nga biznesmeni Ardian Shatku, mbrojtja e Metës ia ‘faturoi’ përgjegjësinë Kryemadhit. Avokati Kujtim Cakrani tha se Meta nuk ka qenë në dijeni të asnjë shpenzimi të Kryemadhit me këto karta. Madje sipas mbrojtjes, Meta vendosi edhe divorcin pasi nga kontrollet në shtëpinë e nënës së Kryemadhit u gjet një nga këto karta. 

Prej disa ditësh, Ilir Meta është duke u përpjekur t’a heqë përgjegjësinë nga vetja për të shpëtuar, duke ia hedhur fajin ish-bashkëshortes së vet, Monika Kryemadhi. Sot Meta akuzoi Kryemadhin për korrupsionin e zbuluar nga SPAK-u. Madje, tha se kishte vendosur t’a ndante Kryemadhin pasi kishte zbuluar se po kryente veprime korruptive.

Nuk ekziston asnjë provë apo indicie që Z. Meta të ketë qenë në dijeni të përfitimeve të paligjshme apo të ligjshme të ish-bashkëshortes nga A.Shatku. Referenca për ndarjet e përqindjeve në celularin e Znj. Kryemadhi që pretendon SPAK-u, i takon Znj. Kryemadhi ta sqarojë. Akoma më tendencioze është përpjekja e prokurorëve për të paraqitur Z. Meta si bashkëpërfitues apo në dijeni të kartave të paligjshme që pretendon akuza, të cilat edhe vetë sipas saj janë vetëm në emër të Monika Kryemadhit, e cila sipas SPAK, rezulton edhe përfituese e tyre. Z. Meta jo vetëm që s’ka qenë në dijeni të kësaj marrëdhënieje të paligjshme, por pasi ka mësuar se pas kontrollit në banesën e nënës së Znj. Kryemadhi, ekzistonte një kartë e tillë, por e papërdorur, sipas zonjës Kryemadhi, vendosi edhe divorcin ligjor me të duke e vlerësuar si shkelje të rëndë të besimit, të ligjit për një politikane me përvojë, por edhe në dëm të kauzave të tij politike. Z. Meta vetëm në seancën e parë, pas arrestimit të tij, në Gjykatë u njoh me përdorimin e kësaj karte në San Marino nga akuza.

Ndërsa për dy kartat e tjera është njohur vetëm ditën e komunikimit të akuzës si i pandehur më 27 Maj. Po kështu, organi i akuzës provon vetë se Monika Kryemadhi është e vetmja përdoruese e kësaj karte, dhe në asnjë raste të vetëm nuk provohet se Z. Ilir Metaj ka përdorur këto”, tha mbrojtja e Metës.

Më herët, në një intervistë për televizionin e Familjes Berisha, Meta tha se karakteri i tij nuk pajtohet me korrupsionin dhe vjedhjen e pasurisë publike.