Berisha merr në mbrojtje Arben Ahmetajn: Ajo që po i bëjnë atij, është një çmenduri

Aktualitet

Publikuar: 25/06/2025

Berisha merr në mbrojtje Arben Ahmetajn: Ajo që po i bëjnë atij, është një çmenduri

Kushdo që ka probleme me drejtësinë, prej kohësh është kthyer në aleat të Sali Berishës.

Aq më tepër pastaj, nëse akuzon dhe Edi Ramën, se i ka bërë “puçin”, si në rastin e Arben Ahmetajt.

Ndaj dhe prej kohësh, ai është nën mbrojtjen e Berishës dhe mediave të tij. Portali i familjes Berisha shkruan sot, se ajo që po ndodh me Ahmetajn, është një çmenduri ligjore.

“Pasi Gjykata Kushtetuese ka pranuar pretendimin e ankuesit Arben Ahmetaj ish zëvendëskryeministër, për cenimin e së drejtës së pronës private ka qenë Gjykata e Posaçme e Apelit e cila nën detyrimin ligjor të GJK dhe duke u munduar të respektoje afatet kohore ka vendosur pak ditë më parë se çështja e proporcionalitetit në cenimin e së drejtës së pronës private duhej të vendosej në përfundim të gjykimit të çështjes në themel. Ky vendim dhe kjo qasje është në kundërshtim të hapur me orientimin e Gjykatës Kushtetuese. Çka e cenon rëndë jo vetëm pavarësinë e sistemit gjyqësor por e tregon më së miri që vendimet merren sipas udhëzimeve të partisë apo eksponentë të fuqishëm të partisë që kontrollojnë sistemin e drejtësisë dhe kanë për qëllim goditjen jo vetëm të opozitës por edhe të atyre brenda mazhorancës që kanë pasur kurajën të denoncojnë abuzimet e Ramës dhe atyre që i rrinë rrotull”, shkruan ky portal.

Sali Berisha dhe mediat e tij, prej vitesh kanë hedhur akuza të rënda në drejtim të Arben Ahmetajt. Por sapo ky i fundit doli kundër Ramës, është kthyer në aletin kryesor të tyre.