Fatmir Mediu thotë se kryeministri Rama dhe presidenti Begaj duhet të thërrasin Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në lidhje me kërcënimet që mund të vijnë nga Irani.
Sipas Mediut, Shqipëria është më e ekspozuar se sa Gjermania, Italia dhe Franca, pasi ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Tehranin dhe strehon një organizim politik, si MEK, në një kohë kur Trump po flet për ndryshim regjimi në Iran.
Ai thotë se në rast të sulmeve të ngjashme si ato të Iranit në Izrael, Shqipëria duhet të kërkojë asistencë nga SHBA, dhe vende të tjera të NATO.
“S’e pashë fare reagimin e Ramës, se s’besoj ka ndonjë relevancë. Kryeministri i Shqipërisë duhet të kuptojë detyrën që ka. Ka detyrën që bashkë me presidentin e Republikës të thërrasin Këshillin e Sigurisë Kombëtare, dhe të analizojnë situatën për të parë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria, sa këto kërcënime e ekspozojnë Shqipërinë, dhe cilat janë masat që duhet të marrë Shqipëria.
Sa në kuadër të NATO-s, duhet të dimë si të veprojmë, dhe sa me hapat e mëtejshëm që duhet ndjekim në partneritet të veçantë me SHBA-të.
Të thuash bravo ose jo, s’është politikë, ky është thjesht një tifozllëk. Si nuk jemi në kushtet për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë?!
Veprimet e Iranit kanë qenë veprime subversive, për të sulmuar, apo me akte terroriste, Shqipëria ka qenë në këtë axhendë të Iranit. Vite më parë ka pasur tendenca për një akt terrorist.
Kemi prishur marrëdhëniet diplomatike me Iranin, kemi pasur sulme kibernetike nga Irani, dhe jemi pjesë e një aleance që është kundër Iranit për të pasur armë bërthamore.
Deri ku shtrihet ky efekt?! Kjo është një çështje për të analizuar. Burrat e shtetit s’veprojnë me deklarata por me analizë të thellë.
Ne s’mund të ecim gjithmonë me reagime pasive, duhet të kemi një organizim sa më të qartë, edhe më të mirë, të kuptojmë problemin dhe si mund ta përballojmë. Rezistenca e organizuar politike iraniane ndodhet në Shqipëri, nëpërmjet MEK-ut.
Edhe fjala e fundit e z.Trump është për ndryshim regjimi, që vijnë dhe plotësohen gjithmonë nga rezistenca të organizuara politike.
Ka një ekspozim goxha më të madh se çdo vend tjetër, edhe në sferën europiane, të Shqipërisë sa i përket Iranit. Si ka mundësi pas gjithë kësaj situate ku pothuajse të gjitha vendet e kanë mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Shqipëria është pasive!
Dhe është shumë më e ekspozuar se Gjermania, Franca, Italia, në raport me Iranin. Kemi prishur raportet dhe kemi një organizim politik kundër qeverisë së Iranit këtu në Tiranë.
Shqipëria si vend anëtar i NATO-s duhet të bëjë të qartë risqet e mundshme dhe masat mbrojtëse që duhen marrë. Nëse flasim një sulm që vjen i organizuar si ai në Izrael, duhet kërkuar asistencë nga SHBA, dhe vende të tjera të NATO.
Edhe fakti që kalon në hapësirë ajrore të pafundme derisa të vijë në Shqipëri, që janë pjese e vendeve të NATO-s krijon një lloj garancie, por kjo kërkon një organizim, qëndrim dhe zgjidhje ndaj sulmi të mundshëm”, tha ai për MCN.