Kur e gjithë bota mban frymën dhe sheh me dyshim e raportimet nëse ka vërtetë një superbombë të atillë që mund të çajë malet e Iranit për të depërtuar në kompleksin bërthamor të Fordow, një rreze shprese ka ardhur nga Tirana. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, njëherësh komandant i Forcave të Armatosura, pas ultimatumit ndaj Teheranit për të hequr dorë nga pasurimi i uraniumit, befas ka zbuluar ‘nënën’ e të gjitha bombave, mbuluar me gjethe në repartat ushtarake, të cilat kanë kaluar në pronësi të oligarkëve për të ndërtuar vila.
Bomba sekrete besohet se e shkërmoq malin ku Irani strehon kompleksin bërthamor siç depërton luga e Bajramit në ‘malin’ e pilafit me lëng në mëngjezoren pranë Presidencës. Testimi i saj, në sekret të plotë, thuhet se është monitoruar nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, me ato dylbitë që nuk u hiqen kapakët aq sa i hiqet frika ministrit se mos e kapin grekët për të bërë ushtrinë apo frika nga Alisa e PD-së, e cila e rrihte me shapkë sa herë nuk ia blinte paktën Slims, por L&M.
Nëna e bombave, para të cilës GBU-57 e famshme amerikane duket si fishekzjarr, është planifikuar të transportohet dhe të hidhet mbi objektiv me një avion Jak-18, të cilin Arben Imami e kishte harruar që t’ua shiste serbëve me ndërmjetësimin e Fahri Balliut, bashkë me disa raketa me rreze të shkurtër veprimi, të cilave ua kanë vjedhur motorrin, duke i kthyer në dybek.
Bomba e Bamit tonë, që ka marrë pjesë në tjetërsimin e bazave të FA, tregon potencialin e ushtrisë sonë, e cila gjatë këtyre tre dekadave e ka treguar disa herë fuqinë e saj, si për shembull kur mbushi aerodromet e Shqipërisë me blloqe betoni në 2014 që të mos uleshin avionët e drogës, kur hoqi ca qese plastmasi poshtë Urës së Dajlanit dhe kur doli të luftojë koronavirusin në 2020 etj.
Teksa Trump dhe Netanyahu nënqeshin me shpoti për armën e Bajramit që thërmon male dhe që besohet se do të shënjojë fatin e luftës, Irani, Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut, si boshti i së keqes, janë në panik. Lideri Suprem i Iranit Ali Khamenei, i cili dy ditë më parë shpërfilli thirrjen e Trump për t’u dorëzuar, tashmë ka ngritur flamurin e bardhë!