Procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Tiranës ka nisur, teksa po zbulohen parregullsitë e para, kryesisht me devijimin e votës preferenciale brenda partive, edhe pse këto shifra deri tani nuk duket se e ndryshojnë rezultatin, as për partitë dhe as për kandidatët.
Juristi Indrit Sefa theksoi se “Berisha bëri autogol me rinumërimin dhe harroi farsën”.
“Kjo është deja vu për mua, kjo çështja në Kolegj, është e ezauruar si çështje, është e njëjta me 2021, ku u rrëzuan, sepse ka praktikë Kolegji, ka kaluar çështja në KAS. Pavarësisht se ai sistem ishte më demokratik sesa ky tani. Shikoni tani rinumërimin, a rri ndonjë nga deputetët e listës së sigurt të PD-së te pallati “Farie Hoti” për votat? Mund të zgjasë procesi edhe mbi 20 ditë.
Më duket e vështirë të ndryshojë rezultati, por do ketë numër të madh votash me probleme tek kandidatët siç e shohim dhe kjo ngre pikëpyetje për punën e numëruesve apo komisionerëve. Por për përmbysje rezultati nuk mendoj. Më pas mund të ketë çështje që të dërgohen për KAS, do shohim. Për subjektet politike nuk mendoj se do ketë lëvizje të mëdha. Nga gjetjet e deritanishme nuk mendoj se ka nevojë për përsëritje, apo rinumërim”, u shpreh Sefa për Report Tv.
Ai e cilësoi autogol lëvizjen politike të kryetarit të PD-së, Sali Berisha me çështjen e rinumërimit si kauzë, sepse tani e gjithë kjo situatë shkarkohet dhe rrezikon penalisht komisionerët e partisë dhe numëruesit, që janë edhe pjesa më e devotshme.
“Berisha bëri autogol me rinumërimin, harroi farsën elektorale. Ai e kaloi përgjegjësinë e kësaj farse nga qeveria e Ramës, tek partitë si përgjegjëse, tek komisionerët. I kërkon Celibashit dhe KQZ-së përgjegjësinë e komisionerëve, që i vuri vetë.
A e dini ju që komisionerët duhen me shkollë të lartë, por që shumë prej tyre ishin të patrajnuar mirë. Nuk bëhet fjalë fare për tren bullgar për këtë rast, është e vështirë të realizohet në qendrën e votimit, edhe për shkak të ambienteve, s’ke mundësi, janë 7 vetë, as celularin nuk e nxjerr dot. Duhet ta nxjerrësh nga një xhep, ta fusësh në tjetrin”, vijoi juristi.
Ai ndau mendimin se ata që do e pësojnë pas rinumërimit do jenë numëruesit për parregullsitë që do zbulohen me votat për subjektet dhe kandidatët.
“Ky proces thjesht do marrë më qafë disa komisionerë, që i bie që të hysh në bug për 90 mijë lekë (të vjetra), edhe pse ata nuk shkojnë për lekë, por për arsye të ndryshme, janë pjesa më e devotshme e partisë. Nëse ka vota shumë është porosi apo orientim, psh., 10 vota plus”, tha Sefa.