Institucionet e pavarura do ta kalojnë qetë qershorin dhe korrikun, pasi ata nuk do të paraqiten në Kuvend për të dhënë llogari për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2024.
Ky raportim vjetor duhet të ishte bërë në pranverë, por deputetët ishin në fushatë.
Kjo ka bërë që mazhoranca të ndryshojë planin e punës së Kuvendit, dhe të shtyjë raportimin e institucioneve të pavarura, për në shtator, kur të betohen dhe fillojnë nga puna, deputetët e rinj. Kalendari i punimeve të Kuvendit parashikon edhe dy seanca të tjera, një më 26 qershor e një të fundit më 3 korrik, dhe në asnjërën prej tyre nuk është parashikuar raportim i krerëve të institucioneve apo miratimi i rezolutave për ta.