SPAK gati për megaoperacionin që godet kontrabandën e naftës, disa zyrtarë ia mbathin para se të dalin dhjetëra urdhër-arreste

Krim & Korrupsion

Publikuar: 17/06/2025

SPAK gati për megaoperacionin që godet kontrabandën e naftës, disa zyrtarë ia mbathin para se të dalin dhjetëra urdhër-arreste

SPAK po kryen veprimet e fundit hetimore dhe procedurale në funksion të finalizimit të një prej operacioneve më të mëdha për goditjen e kontrabandës së naftës. Megaoperacioni është produk i një hetimi të gjatë dhe kompleks, i cili mësohet se ka ekspozuar disa biznesmenë, zyrtarë të doganave, tatimeve, portit dhe policisë në kontrabandën disavjeçare të naftës, duke i shkaktuar shtetit shqiptar dhjetëra milionë euro dëm ekonomik.

Sipas burimeve, hetimet kanë nisur pas sinjalizimeve nga strukturat partnere të zbatimit të ligjit dhe se skema e grupit kriminal është çmontuar në bashkëpunim me agjencitë e huaja të zbatimit të ligjit. Bashkëpunimi ndërkombëtar besohet se ka shpëtuar hetimin edhe nga ngërhyrjet korruptuese të kokave të kontrabandës së naftës.

Në dijeni të disa veprimeve hetimore të BKH-së dhe personave të pyetur nga SPAK, disa zyrtarë të godanave, tatimeve dhe Portit të Durrësit ia kanë mbathur nga Shqipëria, për t’i shpëtuar arrestimit dhe qelisë për disa vite. Sipas burimeve, disa nga të implikuarit janë larguar në vende të ndryshme, ndërsa të tjerë po qëndrojnë vigjilentë për t’u fshehur në momentin e firmosjes së urdhër-arresteve nga GJKKO.

Sipas burimeve, pjesë e grupit kriminal janë edhe disa deputetë, ish deputetë, drjetorë të rëndësishëm, zyrtarë të nivele të ndryshme dhe biznesmenë. Të ardhurat e përfituara nga kontrabanda disavjeçare e naftës besohet se i kanë investuar në pasuri të paluajtshme. Prokuroria e Tiranës dhe e Durrësit ka goditur herë pas here episode të kontrabandës së naftës, por protagonistët i kanë shpëtuar gjithnjë ndëshkimit rrugës, duke blerë njerëzit e drejtësisë, duke sabotuar dhe devijuar hetimet, përçudnuar gjyqet dhe bërë kurban ‘peshqit e vegjël’.