“O Tommaso Buscetta! Pse nuk e përmend dashurinë e shekullit”- Tensione në sallën e GJKKO gjatë dëshmisë së Erion Alibejt

Aktualitet

Publikuar: 17/06/2025

“O Tommaso Buscetta! Pse nuk e përmend dashurinë e shekullit”- Tensione në sallën e GJKKO gjatë dëshmisë së Erion Alibejt

Dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erion Alibej, para Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është shoqëruar me tensione të forta.

Në seancën e kësaj të marte, teksa Alibej vijonte rrëfimin për ngjarjet kriminale, u përplas verbalisht me të pandehurin tjetër, Xhuljan Hoxha.

Nga kafazi i sigurisë, Hoxha iu drejtua Alibejt me fjalët ironike: “O Tommaso Buscetta”, duke e krahasuar atë me mafiozin e njohur italian që u bë i pari “pentito” i madh i Cosa Nostra-s dhe dëshmoi kundër organizatës. Gjykata ndërhyri menjëherë për të rivendosur qetësinë dhe për të vijuar seancën.

Gjatë dëshmisë, Alibej foli në detaje për vrasjen e Bujar Çelës, të cilin e identifikoi si “njeriun më të afërt të Talo Çelës”. Sipas tij, pas vrasjes së Emiljano Ramazanit, ai vetë kishte kërkuar që arma e krimit të fshihej në banesën e Bujar Çelës. Në këtë plan, pretendon Alibej, ishte i përfshirë edhe Xhuljan Hoxha, i cili “jepte informacione”.

Për këtë pretendim ndërhyri sërish Hoxha, duke thënë: “Unë kam qenë në shtëpi. I sigurt që ke folur me mua o Tommaso Buscetta?”

Më tej, Alibej rrëfeu se në fillim për vrasjen e Çelës ishin angazhuar Skerdi Tase dhe Henrik Hoxha, por që më pas ishin tërhequr pa arsye të qartë.

“Për Bujarin vendosëm ta ekzekutonim. Si fillim u angazhua Skerdi Tase për ta ekzekutuar dhe Henrik Hoxha. E morën si punë, u angazhuan të dy. U morën disa ditë rresht për ekzekutimin e Bujar Çelës. Nuk e kuptova pse u tërhoqën, as sot e kësaj dite nuk e kam kuptuar pse nuk e vranë. Informacionet për Bujarin unë i kisha të gjitha, përveç informacioneve që kishte Nuredini nga Eljo Bitri. Nuk u arrit në atë periudhë, pastaj Bujari u mor me Abedin Mamen.

Më pas, sa i përket ditës së ekzekutimit të Bujarit, u angazhua ditë përpara çunat e Fushë-Krujës, Besi dhe Veri (Besin Xhixha dhe Enver Diva). Çunat e Fushë-Krujës, ditën e ekzekutimit, kanë ardhur me një Renault ngjyrë qumështi, me atë erdhën nga Fushë Kruja. Kanë prit njëherë te shtëpia e Bujarit, një komshi i pa dhe ata u tërhoqën.

U larguan nga zona aty dhe më pas u afruan te lokali ku ishte Bujari. Pasi kanë mbaruar veprimin, më ka shkruajtur Nuredini në sekondë që ‘mbaroi Bujari’. Makina u larguan njëkohësisht, Renault-i u dogj, më pas me makinën E-Class shkuan për Fushë Krujë”, tregoi Alibej.

Xhuljan Hoxha, nga kafazi, e akuzoi dëshmitarin se po manipulon procesin dhe e sfidoi Alibej të tregonte përfshirjen e Megi Kilës, për të cilën aludoi se kishin një lidhje dashurie.

“Tregoje pak si e pyesje Megi Kilën për Emiljano Ramazanin? Pse nuk e përmend Megi Kilën, dashurinë e shekullit? Se për vrasjen e Bujar Çelës unë kam qenë në shtëpi. S’kam lidhje fare me këtë ngjarje. Procesi jonë është i padrejtë fare, po manipulohet.

Gjyqi zhvillohet si do Nuredin Dumani dhe Erjon Alibej. Do të lutem shumë gjyqtare, si fliste ai me Megi Kilën? Më shumë se burg përjetë nuk keni çfarë më bëni më. Le të mbarojë ai deklarimet, se kam unë për të folur për të”, deklaroi Hoxha me zë të lartë në sallë.

Në fund të seancës, Alibej deklaroi gjithashtu se një shumë të konsiderueshme parash ia kishte dorëzuar Arsen Preçit, si pagesë për vrasjet e porositura.

Arsen Preçit i dhashë 60-70 mijë euro, aq sa më dha Nuredini. Nuk e mbaj mend mirë shumën. Ia dhashë në një karburant afër Vorës”, përfundoi ai.