Komisioni Europian ka hartuar një draft raport për Sundimin e Ligjit, nga ku analizohet me detaje ecuria e reformës në drejtës në Shqipëri, përfshi sfidat me luftën ndaj korrupsionit.
Nga një burim diplomatik gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu siguroi draft raportin i sigluar konfidencial, që mban datën 9 Qershor 2025 dhe i është dërguar institucioneve shqiptare për t’ju përgjigjur me komente, të cilat reflektohen më pas në raportin final.
Ky draft raport për Sundimin e Ligjit në Shqipëri fillimisht tregon si qytetarët e perceptojmë drejtësinë e vendit të tyre sot. “Niveli i perceptuar i pavarësisë gjyqësore në Shqipëri vazhdon të jetë mesatar si tek publiku i gjerë ashtu edhe tek kompanitë. Në përgjithësi, 47% e popullsisë së përgjithshme dhe 40% e kompanive e perceptojnë nivelin e pavarësisë së gjykatave dhe gjyqtarëve si “mjaftueshëm ose shumë të mirë” në vitin 2025. Pavarësia e perceptuar gjyqësore tek publiku i gjerë është rritur pak në krahasim me vitin 2024 (46%), ndërsa tek kompanitë ka rënë në krahasim me vitin 2024 (45%)”.
Komisioni Europian i dedikon një kapitull të veçantë analizues punës të SPAK duke vlerësuar se “Struktura Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK) konsolidoi më tej rezultatet e saj pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe bëri përparim të prekshëm drejt një rekordi të fortë në luftën kundër korrupsionit”. “SPAK-u vazhdoi të konsolidojë rezultatet e tij pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, ndonëse mbeten disa mungesa në lidhje me stafin dhe infrastrukturën. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kanë dhënë rezultate pozitive në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve të korrupsionit, përfshirë ato që përfshijnë politikanë dhe zyrtarë të lartë, si dhe në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së. SPAK shfaq vizion strategjik të qëndrueshëm dhe pavarësi në kontributin e tij në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, pavarësisht presionit të shtuar politik, grupeve të krimit të organizuar dhe medias. Rritja e vazhdueshme e ngarkesës së punës për SPAK-un dhe mungesa e stafit dhe infrastrukturës vazhdojnë të jenë çështje që duhen adresuar. Numri i referimeve te SPAK-u nga autoritetet e tjera ka rënë më tej dhe mbetet i ulët”.
Komisioni Eurpian mbërrin në përfundimin se “Shqipëria vazhdoi zbatimin e reformës gjyqësore duke forcuar pavarësinë gjyqësore dhe autonominë e prokurorisë”. Procesi i verifikimit të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve u finalizua në shkallën e parë, duke forcuar më tej llogaridhënien.