Shefi i organizimit në PD, Klevis Balliu, foli sot në emisionin “Kjo Javë” në News 24 nën moderimin e Nisida Tufës, për zgjedhjet elektorale të 11 Majit, të cila opozita i ka cilësuar ‘farsë elektorale’.
Balliu tha se është detyrë e opozitës dhe shoqërisë që të denoncojnë dhe shkërmoqin sipas tij sistemin e ngritur për vjedhjen e zgjedhjeve.
Ai u shpreh ndër të tjera se PD u nis për të fituar në zgjedhjet e 11 Majit, por, gjithashtu, tha se PS-ja do t’i përdorë të gjitha mënyrat për t’i manipuluar. “Pa diskutim, ne u nisëm për të fituar zgjedhjet, por në krahun tjetër ne thamë që këtu do të tentohet gjithçka, manipulim dhe vjedhje e votës. E kemi deklaruar që Sara Mila është kandidatja e Suel Çelës dhe ja që u vërtetua, pasi ajo është kandidatja më e votuar në Shqipëri, një njeri që nuk e njeh askush. Apo rasti i Arkend Ballës i mbështetur nga Troplinët, që mori 10 herë vota më shumë se katër vite më parë. Nuk e di çfarë rroge duhet të kesh për të pasur 2.6 milionë euro në llogari bankare siç deklaron”, tha Balliu.