“Pikat e vockla” të Kumbaros! Ministrja firmos projektin e hotel-bunkerëve në kodrën e gjelbër të Ksamilit

Kryesore

Publikuar: 13/06/2025

“Pikat e vockla” të Kumbaros! Ministrja firmos projektin e hotel-bunkerëve në kodrën e gjelbër të Ksamilit

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, është bërë “armikja” kryesore e zonave të mbrojtura në të gjithë Shqipërinë. “Pikat e vockla” të saj po shtohen dita-ditës, madje edhe në zona që askush nuk mund të guxonte të ndërtonte. E filloi me Gjirin e Manastirit, ku “pika” e saj sa vjen e shtohet. Më pas në zonën e Butrintit, në Gjirin e Llamanit në Himarë dhe tashmë rikthehet sërish në Sarandë.

VoxNews ka analizuar një tjetër vendimmarrje të saj të dyshimtë, ku ajo ka firmosur ndërtimin e një hoteli tip bunker në pamje në kodrat e gjelbërta të Ksamilit.

Por, ministre e nderuar, a nuk janë zonë e mbrojtur kodrat e Ksamilit? A nuk bëjnë pjesë të Parku Kombëtar i Butrintit? Dhe nëse e ke hequr, është sërish zonë buferike ku nuk mund të ndërtosh?

Ministrja jo vetëm që ka lejuar ndërtime, por firmos edhe me dorën e saj që e vetmja kodër e gjelbër e Ksamilit të kthehet në zonë urbane, me hotele.

Disa muaj më parë, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit mori një vendim me numër 25 të vitit 2024, për ndërtimin e një hoteli në Ksamil. Hoteli ndodhet në afërsi të pikës së bllokimit të mjeteve nga Policia e Sarandës dhe ndodhet më në jug të Ksamilit, te e vetmja kodër e gjelbër, shumë afër detit, që ka ngelur në atë qytezë.

Kumbaro dhe KKTU e ka cilësuar dokumentin si “dokument i rregullores së veçantë” për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin 3 kat mbi tokë dhe 4 kat nën tokë dhe pishinë, me vendndodhje në Ksamil, Bashkia Sarandë dhe me subjekt zhvillues shoqërinë “Epidamn C”, shpk.

Vendimi ka edhe hartën e vendosjes si dhe projektin.

VoxNews hulumtoi dokumente shoqëruese ku rezulton se objekti do të jetë i përbërë në një pjesë volumore. “Objekti 3 kat mbi tokë dhe 4 kate nëntokë tokë do

të ketë një sipërfaqe të katit përdhe prej 719.7 m², me strukturë beton arme të përbërë dhe do të ketë lartësi 16.20 m në fasadën e jashtme që arrin nivelin e tarracës” thuhet në dokumente.

Sipas tyre, 3 katet e para mbi tokë janë shërbime dhe 42 dhoma. Në katin -1 janë ambientet si pishinë, spa, dhomë masazhi, etj., ndërsa në katet -2, -3 dhe -4 janë 97 poste parkimi.

“Në aspektin arkitektonik, trajtimi i fasadave në të gjithë kompleksin ka gjuhë të njëjtë, duke përdorur dizajn të përafërt dhe aplikimin e materialeve të njëjta. Fasadat punohen me elementë të gurit, që i përshtatet tipit të ndërtimeve në fshatin e Ksamilit” thuhet në dokumente.

Mësohet se objekti do të ketë përkatësisht strukturën, bazamentin dhe dysheme beton arme. “Në aspektin arkitektonik, trajtimi i fasadave në të gjithë kompleksin ka gjuhë të njëjtë, duke përdorur dizajn të përafërt dhe aplikimin e materialeve të njëjta. Fasadat punohen me elemente të gurit, që i përshtatet tipit të ndërtimeve në fshatin e Ksamilit” shkruhet në letra.

Ndërkohë, në planin 3D duket se hoteli do të ketë një pamje si bunker. “Përdorimi i materialeve të tjera natyrore si druri dhe tullat nga balta krijojnë atmosferë të ngrohtë dhe ndjenjë bregdetare” shkruhet në dokumente, teksa saktëson se sheshi i cili do të shërbejë për ndërtimin e strukturës së propozuar ka një sipërfaqe totale prej 1824.3 m² në parcelat me nr. pasurie 7/493 dhe me nr. 7/494 e cila ndodhet në Zonën Kadastrale Nr. 2297 dhe është në pronësi të shoqërisë “Epidamn – C” sh.p.k, të cilët janë dhe zhvilluesit e projektit të propozuar.

/voxnews