Indi/ Rrëzohet avioni me 242 pasagjerë në bord, përplaset me godinat e banuara! S’dihet numri i viktimave, udhëtonte drejt Londrës

Kryesore

Publikuar: 12/06/2025

Indi/ Rrëzohet avioni me 242 pasagjerë në bord, përplaset me godinat e banuara! S’dihet numri i viktimave, udhëtonte drejt Londrës

Një avion pasagjerësh i “Air India” u rrëzua në aeroportin e Ahmedabad, një qytet në Indinë perëndimore, raportuan kanalet televizive, pa specifikuar ende nëse kishte viktima.

Avioni po shkonte për në Londër, tha një burim aviacioni, kurse në bord ishin 242 persona, 169 pasagjerë indianë, 53 britanikë, një kanadez dhe 7 portugezë. Rrëzimi ndodhi gjatë ngritjes, thanë kanalet televizive.

Pamjet tregonin rrënoja që digjeshin, me tym të zi të dendur që ngrihej në qiell mbi aeroport, informon ‘La Repubblica’.

Mendohet se në bord ishin të paktën 230 pasagjerë dhe 12 anëtarë të stafit të kompanisë ajrore. Avioni “Boeing 787” mori një lartësi rreth 200 metra, por më pas humbi kontrollin e ngjitjes dhe forcën në rrethana ende të panjohura dhe nisi ulje progresive deri në rënien mbi godinat e banuara dhe shpërthimin gati bërthamor në tym dhe flakë. Në dukje mjeti fluturues nuk dha shenja të humbjes së ekuilibrit aerodinamik apo turbulencë në motorë dhe trup, teksa mbeten mister shkaqet e rrëzimit tragjik. Mjeti fluturues gjatë ngritjes duket se ka humbur kontrollin dhe ra mbi zonën ku kishte shtëpi dhe pallate banimi, duke shpërthyer gjithçka në re të mëdhaja tymi dhe flakësh. Pamjet nga vendngjarja ishin tronditëse, teksa autoritetet nisën menjëherë grupet e emergjencave dhe të shpëtimit.

U shfaqën gjithashtu pamje të njerëzve që transportoheshin me barela në ambulanca. Por shifrat zyrtare të dëmeve dhe viktimave ende nuk janë zbuluar, teksa mjeti fluturues është përplasur pas objekteve të një zone të banuar dhe mund të ketë edhe viktima mes qytetarëve.