Si rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të Emirateve të Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai drejt Shqipërisë të dy shtetasve shqiptarë të shumëkërkuar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Bëhet fjalë për:
Dashnor Dumani, vëllai i Nuredin Dumanit, i cili është dënuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe aktualisht akuzohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO) për vrasje dhe vjedhje me armë.
Armis Stafa, i cili sipas hetimeve të GjKKO-së, akuzohet për pastrim parash në shërbim të një grupi kriminal që vepronte në qytetin e Elbasanit.
Burime zyrtare bëjnë me dije se ekstradimi po realizohet në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet ligjzbatuese të Emirateve dhe INTERPOL-it. Në lidhje me orën e saktë të mbërritjes në Shqipëri, do të ketë një njoftim të mëvonshëm nga institucionet përkatëse.
Ky operacion konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në drejtësi.