“Nuredini u angazhua me “çunat e Fushë-Krujës”” – Rrëfehet Erion Alibej: E dinim që Talo Çela do bëhej i gjallë! Doja t’i tregoja Dumanit që kam lekë

Aktualitet

Publikuar: 10/06/2025

“Nuredini u angazhua me “çunat e Fushë-Krujës”” – Rrëfehet Erion Alibej: E dinim që Talo Çela do bëhej i gjallë! Doja t’i tregoja Dumanit që kam lekë

Erion Alibej, i kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë, ka dalë sërish këtë të martë para togave të zeza, ku dhe ka rrëfyer të tjera detaje nga ngjarjet kriminale dhe për ish-bashkëpunëtorët e tij.

Gjatë këtij rrëfimi ai është ndalur te ekzekutimi i Dorjan Shkozës, i cili u vra me breshëri plumbash mbrëmjen e 2 marsit të vitit 2020 në lagjen 14 në Nish Tulla të Durrësit.

Alibej ka treguar se për kokën e tij ka paguar 100 mijë euro, ndërkohë që gjatë këtij rrëfimi ka përmendur sërish “hoxhën” i cili u siguronte armët e zjarrit kundrejt pagesës.

Sipas tij, pas vrasjes së Shkozës e dinin që Talo Çela do të bëhej i gjallë dhe madje për këtë ka biseduar dhe me Nuredin Dumanin.

“Me Nuredinin flisja për Talo Çelën, që pas vrasjes së Dorjan Shkozës do të bëhej i gjallë apo jo. Gjithashtu, vijoja investigimin për Altin Ndocin, ky shkonte shpesh në Durrës tek vëllezërit Haxhia”,mësohet të ketë thënë ditën e sotme Alibej.

Ndërkohë që më tej ka treguar se Dumani ka qenë i angazhuar të ishte i përgatitur me “çunat e Fushë-Krujës”, dhe se i është përgjigjur atij për gjithçka me qëllim që të kishte besim dhe t’i tregonte se kishte para.

“Kishim një makinë Toyota të vjedhur që e kisha blerë në Shijak, ia dhashë Nuredinit dhe armët që ai donte, ia dhashë tek Pazari i Rrogozhinës, ishte me Klevis Allën kur e mori. Më pas, Nuredini kërkoi dhe 50 mijë euro, ia çova me një mikun tim dhe i dërgova 150 mijë për të vijuar. Këtë e bëra që edhe Nuredini të shikonte që unë kisha lek dhe të kishte besim”, tha ai.

Pjesë nga dëshmia:

Për Dorjan Shkozën kam paguar 100 mijë euro, nga “hoxha” janë blerë disa armë, çmimet varionin nga 500-1000 deri në 3500 euro. Nuk e di saktë se kontaktet me “hoxhën” i kishte Sandër Baho.

Me Nuredin Dumanin jam takuar pas vrasjes së vëllezërve Haxhia. Por me Nuredinin isha në kontakt të vazhdueshëm, Henrik Hoxhën e njihja vetëm dhe kam dëgjuar që kishte presudimin “Kusho” edhe “Nipi” që i drejtohej Klevis Allës.

Me Nuredinin flisja për Talo Çelën, që pas vrasjes së Dorjan Shkozës do të bëhej i gjallë apo jo. Gjithashtu, vijoja investigimin për Altin Ndocin, ky shkonte shpesh në Durrës tek vëllezërit Haxhia.

Klevis Alla kishte parë një ditë Talon tek shtëpia e vëllezërve Haxhia, por Nuredini e mori me rezerva. Nuredini është angazhuar me qenë i përgatitur me “çunat e Fushë-Krujës”, por emrat e tyre nuk i dija.

Në Sky ECC më shkuan Plarent Dervishi, kam pasur kontakt me të, ai kishte kodet “Barcelona” dhe “Gost”. Plarenti më tha: “Mbohet qefi që e ke gjetur Talo Çelën”, unë u habita nga e dinte ky, pastaj u kujtova që Plarenti kishte shumë muhabet me Festim Qolin.

Kishim një makinë Toyota të vjedhur që e kisha blerë në Shijak, ia dhashë Nuredinit dhe armët që ai donte, ia dhashë tek Pazari i Rrogozhinës, ishte me Klevis Allën kur e mori. Më pas, Nuredini kërkoi dhe 50 mijë euro, ia çova me një mikun tim dhe i dërgova 150 mijë për të vijuar. Këtë e bëra që edhe Nuredini të shikonte që unë kisha lek dhe të kishte besim.