Një linjë droge pas qendrës Metropol në Lushnje, një histori 15-vjeçare pastrim parash. Kush i vuri në gjumë institucionet?

Krim & Korrupsion

Publikuar: 10/06/2025

Një linjë droge pas qendrës Metropol në Lushnje, një histori 15-vjeçare pastrim parash. Kush i vuri në gjumë institucionet?

Në dhjetor të vitit 2023, qendra tregtare ‘Metropol’ në Lushnje u përfshi nga flakët. Dhjetëra dyqane në të tre katet u shkrumbuan. Prokuroria e Fierit hapi një hetim për shkaqet e zjarrit nëse ishte i qëllimshëm apo aksidental. Nuk dihen rezultatet e hetimit, por ka pasur interes që kjo çështje të mbyllej në heshtje dhe vëmendja të zhvendosej nga qendra tregtare, një investim dhjetëra milionë euro.

Qendra tregtare u ndërtua në vitin 2015 në qendër të qytetit të Lushnjes. Burimi i të ardhura ishte i paqartë dhe i kamufluar me kompaninë e ndërtimit BI Construction, e cila gjithashtu ka qarkulluar para me burim të errët. Historia nis në vitin 2010, kur Ilir Dabulla dhe Bledar Çela themelojnë kompaninë e ndërtimit BI Construksion me kapital 10 mijë lekë.

Me kapital 10 mijë lekë, kompania nisi të injektonte miliona euro në ndërtim, duke prodhuar më pas edhe qendrën tregtare Metropol. Skema u zgjerua duke hapur më pas një rrjet spurmarketesh Ipermarket, dyqanesh Tutto Casa dhe restorantesh nga Lushnja në Tiranë.

Zgjerimi u stopua në vitet 2023 dhe 2024 kur SPAK, në bashkëpunim me autoritetet partnere, intensifikoi goditjen e linjave të vjetra dhe të reja të trafikut të kokainës në Evropë, ku në shumë raste, paratë produkt të aktivitetit krimianal janë investuar në Shqipëri në pallate, resorte, qendra tregtare, biznese, por kryesisht në ndërtim, i konsideruar si gjeneraroti kryesor i pastrimit të parave.

Qendra tregatre Metropol, produkt i të cilas janë dhjetëra dyqane, restorante dhe supermarkete, pra një perandori financiare, justifikohet me kompaninë Metropol Center, themeluar po nga Ilir Dabulla dhe Bledar Çela në janar të vitit 2013, me kapital 25 milionë lekë. Pa historik biznesi para 2010 dhe me dy kompani me kapital modest, në 5 vite janë investuar dhjetëra milionë euro.

Një raport sekret i autoriteteve zviceriane, fshehur dhe më pas zhdukur nga autoritetet shqiptare, ngre dyshime të forta se pas kësaj perandorie financiare të ngritur në 15 vite, qëndron një linjë e fortë kokaine. Në informacionin e autoriteteve të Zvicrës flitet me evidenca, monitorime policore, përgjime dhe arrestime. Në dosjen e Zvicrës përfishihet mes të tjerave, edhe një prej pronarëve të Metropol Center, i arrestuar vite më parë.