Paris Saint-Germain është fituese e Champions League, për sezonin 2024-2025, pasi mposhti Interin në finale, me rezultatin e thellë 5-0. Francezët fitojnë për herë të parë në histori, trofeun e kompeticionit më të rëndësishëm në rang klubesh.
Skuadra e drejtuar nga Luis Enrike zhbllokoi ndeshjen në minutën e 12. Aksion i shpejtë i francezëve, pasimi nga e djathta i Doue gjen Hakimin i cili shënon golin e avantazhit, me marokenin që nuk festoi në shenjë respekti.
8 minuta më vonë, PSG dyfishoi shifrat. Kundërsulm perfekt i parisienëve, topi shkoi te Doue në të djathtë dhe gjuajtja e tij e devijuar shkoi në rrjetë pas krahëve të Zomer.
PSG trefishon shifrat në minutën e 63. Dembele pasoi me thembër duke nisur kundërsulmin perfekt të parisienëve, të finalizuar nga Doue.
Kur mendohej se ndeshja do të përfundonte me kaq, francezët e pamëshirshëm nuk u ndalën dhe me një kundërsulm të jashtëzakonshëm të finalizuar nga Kvaratskhelia gjetën golin e 4 në minutën e 75.
Në minutën e 85, Parisi kompletoi “manitën”. Aksion i pabesueshëm me shumë pasime i francezëve, adoleshenti Majulu shënoi para Zomer.
PSG-ja i dërgon kështu një mesazh edhe Kilian Mbape, që ne ia dalim edhe pa ty.
Francezi u largua verën e kaluar për t’u transferuar te Reali i Madridit.
Ky trofe u kërkua me ngulm edhe nga trajneri Luis Enrike, i cili u shpreh se në rast se do të fitojë Champions League, do t’ia dedikonte vajzës së tij, e cila u nda nga jeta në vitin 2015 në moshën 6 vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë.
Më 13 gusht, PSG-do të ndeshet me Totenhemin për të diskutuar trofeun e Super Kupës së Europës.