Në seancën e radhës në GJKKO për dosjen “Plumbi i Artë”, ka vijuar dëshmia e Erion Alibejt, një nga bashkëpunëtorët e drejtësisë dhe i akuzuar si kreu i një organizate kriminale në Elbasan. Ai është i dyshuar si porositës i disa atentateve me pagesë, të motivuara nga hakmarrja dhe konfliktet në kuadër të krimit të organizuar.
Gjatë dëshmisë, Alibej foli për atentatin e 29 dhjetorit 2018 në Bradashesh të Elbasanit, ku mbetën të vrarë vëllai i tij, xhaxhai dhe një shtetas turk. Ai tha se pas ngjarjes ishte kontaktuar nga drejtues të Policisë së Elbasanit, të cilët i kërkuan të bashkëpunojë për zbardhjen e atentatit.
“Në analizat e mia, vetëm problemi me Xhoni Rusten më dilte. Edhe pse më vinin fjalë për vëllezërit Copja, prapë nuk i besoja. Më ka ardhur dhe familja e Suelit – ushtarë të tyre, ndër ta edhe ‘Nino’. Bisedova dhe me Suelin; më tha: ‘Rri i qetë, se do dali e vërteta. Shyqyr që s’ke qenë edhe ti në makinë.’ I thashë: ‘Po kush ka gjujt?’”, rrëfeu Alibej.
Ai shtoi se ditën që përcolli familjarët për në banesën e fundit, ishte ende në kërkim. Sipas tij, drejtori i Policisë së Elbasanit në atë kohë ishte Altin Qato, ndërsa në Prokurorinë për Krime të Rënda ndodhej Niko Brahimaj.
“Më erdhën policët dhe donin të flisnin me mua, ndërkohë që unë isha në kërkim. Më thanë: ‘Hajde bëj një deklaratë dhe do të të lirojmë, që të jesh afër familjes.’ Shkova. Ishin aty Qato, Brahimaj dhe shefi i komisariatit, për të cilin e dija që ishte i shitur te Suel Çela. I thashë: ‘Nuk e dua këtë këtu.’ E nxorën jashtë.”
Më tej, Alibej tregoi për komunikimin me zyrtarët: “Më thanë: ‘E dimë që je në kërkim, por na ndihmo me ndonjë informacion – për kë dyshon?’ U thashë: ‘Do ju duket çudi, por mos kanë ngatërruar objektiv? Nuk di ku t’ju drejtoj.’”
Ai përfundoi dëshminë me një mesazh për shefin e komisariatit: “Ashtu siç ma dhanë fjalën që do të më lironin për të përcjellë familjarët në banesë, ashtu edhe më liruan. I thashë atij shefit të komisariatit që nxorën jashtë: ‘Bën mirë të ikësh nga ky qytet.’”