Gruaja grup kriminal, deputeti Luan Duzha: Lajmet për mua mashtrim, nëse kam blerë një votë shkoj me qejf në burg

Krim & Korrupsion

Publikuar: 29/05/2025

Gruaja grup kriminal, deputeti Luan Duzha: Lajmet për mua mashtrim, nëse kam blerë një votë shkoj me qejf në burg

Deputeti i Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit Luan Duzha ka hedhur poshtë raportimet mediatike se SPAK i ka sekuestruar telefonin në kuadër të hetimeve që po bëhen në këtë qark për krime zgjedhore. Duzha tha se lajmet rreth tij janë gënjeshtra, ndërsa shtoi se nëse ka blerë një votë, do shkonte me qejf në burg.

“Është e gjitha një gënjeshtër, as nuk më kanë kontrolluar, as nuk më kanë marrë celularin, asgjë. Nëse është blerë një votë unë shkoj me qejf në burg, kaq, një votë. Unë flas për veten time, nëse është blerë një votë e vetme nga njerëzit e mi apo shokët e mi për mua, unë shkoj me qejf në burg”, tha deputeti socialist.

Ndërkaq, SPAK ka zhvilluar dje një operacion për krimet në dogana dhe në tatime ku ka lëshuar 36 masa sigurie. Ndër personat e përfshirë është dhe Matilda Duzha, për të cilën është lëshuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje’’. Matilda Duzha, e cila është zyrtare dogane në detyrë në një pikë kufitare të rëndësishme në vend, rezulton se është bashkëshortja e Luan Duzha i cili aktualisht është deputet në Kuvendin e Shqipërisë, nën logon e PS.

Personat e dyshuar kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim kontrabandimin e cigareve të prodhuara brenda territorit të Shqipërisë për në vendet fqinje e më pas ato të BE-së.