Ka nisur në KAS mbledhja për shqyrtimin e ankimimeve të PD-ADSHM për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit në 3 qarqe, pas certifikimit nga ana e KQZ.
Opozita ka pretendime për parregullsi dhe shkelje të rënda para dhe gjatë procesit, duke kërkuar pavlefshmërinë e rezultateve dhe përsëritjen e zgjedhjeve.
Pak ditë më parë u shqyrtua dhe vijon të verifikohet ankimimi për qarkun e Kukësit, kurse sot në rend ditë kanë qenë Berati, Gjirokastra dhe Vlora. Shqyrtimi i parë po bëhet për qarkun e Beratit, ku përfaqësuesi i PD-ADSHM, Franc Nuri dorëzoi një autorizim në KAS për përfaqësimin e Partisë Demokratike edhe nga Ivi kaso, aktualisht i zgjedhur deputet në qarkun Korçë si drejtues politik i koalicionit në atë qark. Kaso ka qenë më parë përfaqësues ligjor zgjedhor për PD në KQZ dhe fazën e ankimimeve, teksa sot (29 maj) ka kërkuar rikthimin.
Nuri më tej renditi pretendimet për qarkun e beratit, ku theksoi problematikat e “asfaltit elektoral” nga Bashkia Berat, përdorimin e administratës, ndërhyrjen te vota e diasporës nëpërmjet orientimit dhe shkelje të tjera me procesin e numërimit apo votimit.
Nuri gjithashtu akuzoi edhe kandidatët e PS në qarkun e beratit për përdorimin e patronazhistëve dhe administratës në mitingje. Gjithashtu renditi problematika në Skrapar, Dimal dhe Kuçovë, teksa referoi si prova edhe materiale nga kronika televizive.
Nuri renditi si një shkelje e Kodit Zgjedhor dhe ligjit elektoral edhe të inagurimit të Urës së Bilçës në Berat nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi që e cilësoi elektoral me qëllim votat në zgjedhjet e 11 majit.
Njoftimi i KAS për mbledhjen e sotme:
“Shqyrtimi i kërkesës ankimore të depozituar më 26 maj nga PD-ASHM, ku kërkohet:
Anulimi i Vendimit nr. 1319, datë 22.05.2025 të KQZ-së, që miraton tabelën përmbledhëse të rezultatit të votimeve në Qarkun Berat
Shpallja e pavlefshmërisë së zgjedhjeve të 11 majit në këtë qark.
Urdhërimi për përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare në të gjithë zonën zgjedhore të Beratit.
Nga ana tjetër njoftohet se në orën 12:30 të ditës së nesërme KAS do të shqyrtojë kërkesën ankimore të depozituar më 27 maj, me objekt:
Kundërshtimi i Vendimit nr. 1318, datë 23.05.2025, për miratimin e tabelës së rezultatit për Qarkun Gjirokastër
Kërkesa për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të 11 majit në këtë qark
Përsëritja e zgjedhjeve në të gjithë Qarkun Gjirokastër
Ndërsa në ora 15:00, vjen për shqyrtim kërkesa nr. 39, gjithashtu e depozituar më 27 maj, që ka për objekt:
Ankimimin e Vendimit nr. 1316, datë 23.05.2025, për Qarkun Vlorë;
Shfuqizimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe kërkesa për pavlefshmëri;
Përsëritjen e zgjedhjeve në gjithë zonën zgjedhore të Vlorës.
Ankesat janë të mbështetura në pretendimet e PD-ASHM për shkelje gjatë procesit zgjedhor të 11 majit dhe synojnë anulimin e rezultatit të certifikuar nga KQZ në këto qarqe.
Shqyrtimi në KAS do të jetë vendimtar për fatin e kërkesave të opozitës, ndërkohë që pritet edhe qëndrimi i shumicës nëse do të paraqesë kundërshtime apo argumente mbrojtëse“.