Për fatin e keq të Edi Ramës, kryeministrin e Shqipërisë, vendi nuk do të sigurojë anëtarësimin në BE përmes pamjes apo perceptimeve, por përmes standardeve të tij demokratike – dhe aktualisht, ato po testohen.
Nga Alastair Campbell
Prej 14 vitesh vizitoj rregullisht Shqipërinë. Kjo marrëdhënie e qëndrueshme filloi kur Edi Rama, atëherë lider i opozitës, sapo kishte humbur një palë zgjedhje që ai i quante të manipuluara, dhe më kërkoi ndihmë për të ndërtuar strategjinë për zgjedhjet e ardhshme. Ai fitoi bindshëm dhe u bë kryeministër në vitin 2013. Tani, në maj 2025, ai sapo ka fituar mandatin e tij të katërt – një arritje mbresëlënëse për çdo lider në botën moderne demokratike.
Festimet sapo kishin përfunduar kur Rama priti Samitin e fundit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë – një shenjë e qartë që Shqipëria kishte zënë vendin e saj në skenën ndërkombëtare. Emmanuel Macron, Friedrich Merz, Keir Starmer, Recep Tayyip Erdoğan, Volodymyr Zelensky, Giorgia Meloni, Ursula von der Leyen… të gjitha figurat kryesore evropiane erdhën në një vend që shumica e tyre e kishin shmangur për dekada. Madje, Starmer ishte kryeministri i parë britanik në detyrë që vizitonte vendin. Me nje gjatesi gati dy metra. Rama dominonte – si fizikisht, ashtu edhe politikisht – në atë ngjarje. Vetëbesimi i tij dhe i vendit të tij ishte i dukshëm. 47 liderë evropianë mbërritën në aeroportin me rritjen më të shpejtë në Evropë. Ata u pritën me një film të realizuar nga inteligjenca artificiale, ku secili prej tyre (si fëmijë), një nga një, thoshte: “Mirë se vini në Shqipëri.” Edhe Erdoğan qeshi.
Vendndodhja e ndërtuar enkas për samitin ishte zbukuruar me letër murale të bazuar në vizatimet me stilolaps që Rama, dikur artist para se të hynte në politikë, i bën gjatë punës së tij. Një prej tyre, mund të them me kënaqësi, është i imi – duke hipur mbi një kalë në betejë, me një shpatë në njërën dorë dhe një telefon në tjetrën. E gjithë ngjarja dha një mesazh të qartë: Shqipëria nuk po kërkon më thjesht një vend në tryezë – ajo është gati ta ndërtojë vetë tryezën. Perspektiva për anëtarësim në BE deri në vitin 2030 është reale dhe e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por për Evropën, sepse zgjerimi sjell më shumë siguri dhe bashkëpunim më të thellë kundër paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor dhe forcave të rrezikshme ruse.a