Meta bisedë telefonike me gazetarët: Mezi pres të shkoj në gjyq! Do e fitoj procesin, u tradhtova nga brenda PL 

Politikë

Publikuar: 27/05/2025

Meta bisedë telefonike me gazetarët: Mezi pres të shkoj në gjyq! Do e fitoj procesin, u tradhtova nga brenda PL 

Ilir Meta, ka dhënë një prononcim nga burgu lidhur me marrjen si të pandehur nga SPAK.

Nëpërmjet një telefonate me avokatin e tij, Kujtim Cakrani, ku ishin të pranishëm dhe disa gazetarë, Meta thotë se ende nuk është njohur me akuzën, ndërsa hodhi akuza në drejtim të SPAK-ut.

Meta është shprehur se mezi po pret të përballet me prokurorët e SPAK, të cilët sipas tij, me task forcën e tyre kundër krimeve zgjedhore, i dhanë fitoren me 83 deputetë Partisë Socialiste. “Duhet të isha në SPAK në orën 15:12 dhe çuditërisht askush nuk është paraqitur deri tani. Kam edhe hallin e avokatit tim Cakranit, që besoj se po humb kohën kot. Mezi po pres të shkoj dhe ti uroj për 83 mandatet që i dhanë me task forcën e tyre kundër opozitës. Por sigurisht edhe me task forcën e tyre duke mos-vepruar kundër terroristëve elektoralë të Edi Ramës, në këmbim të mandatit që ata presin nga Rama që të jenë të përjetshëm.

Të përjetshëm sepse nuk i kuptojnë dot krimet intelektuale të Ramës, të inceneratorit që nuk ekziston. Mezi pres dhe nuk kam ndërmend të kërkoj as mbylljen e procedurës dhe asgjë. Mezi po pres në sallën e gjyqit ku do jeni ju, ku do ketë gazetarë ndërkombëtarë, në mënyrë që të shikoni provat se çfarë është kjo organizatë në shërbim të Edi Ramës. Mezi po pres, nuk do të ketë kurrë kërkesë nga Ilir Meta për mbylljen e procedurës. Dhe ky është një proces që do të fitohet, siç fitoi Presidenti Ilir Meta të gjithë proceset hetimore që bëri Parlamenti me 122 kartona kundër tij si President i Republikës”, tha Meta. Kreu i PL-së hodhi akuza të forta edhe për tradhti e komplot nga brenda PL-së të një personi (nuk ia përmend emrin), që i ka shitur listën me 12 mijë votues të tij tek patronazhistët e PS-së, sepse sipas tij, donte të bëhej Sekretar i Përgjithshëm në vend të Tedi Blushit.

“Falenderoj 8 mijë heronjtë që votuan Ilir Metën, që u rrëmbye në mënyrë terroriste, me vetëdije, me blindat e e Altin Dumanit dhe të kolegëve të tij. I falenderoj të gjithë ata shokë dhe miq që punuan, por që u tradhtuan nga një maskara që me porosinë time dhe këtë e di sekretari i Përgjithshëm i PL, i cili dorëzoi listën me 12 mijë vetash që kishin bërë shokët, miqtë, dashamirësit që votonin Ilir Metën, duke ia dorëzuar patronazhistëve, sepse priste që të bëhej sekretar i përgjithshëm në vend të Tedi Blushit, në bashkëpunim edhe me bashkëpunëtorët e tjerë“, shtoi Meta.