Prokuroria e Antimafias Ataliane, në bashkëpunim me SPAK-un, goditi një organizatë ndërkombëtare droge me bazë në Durrës. Sipas SPAK janë firmosur 52 urdhërarreste dhe janë sekuestruar miliona euro në Shqipëri dhe Itali.

Grupi u fundos nga dëshmitë e 3 të penduarve të drejtësisë, ku një prej tyre edhe Nuredin Dumani, i ka zbardhur për hetuesit italianë rolet e çdo personi të përfshirë në këtë grup që trafikonte drogë. Dëshmitë e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, përpara prokurorëve italianë kanë ofruar detja interesante për disa nga emrat më në zë të krimit, por dhe personazhe, të cilët kanë vepruar, pa u ekspozuar më parë.

Bashkëpunëtori i drejtësisë ka përshkruar aktivitetin kriminal të Xhevdet Troplinit dhe nipit të tij Elvis Doçi, i njohur ndryshe si Visi i Pojës. Sipas tij, Troplini drejton një grupet më të rrezikshëm në vend, ku nipi i tij, është po ashtu një figurë udhëheqëse. Përpos të penduarve, ajo që ka ndihmuar autoritetet t’a zbërthejnë në detaje grupin përveç përgjimeve të ndryshme audio e ambientale, kanë qenë edhe mesazhet e dekriptuara nga platforma Sky ECC.
Xhevdet Troplini mik i Ilir Metës
Xhevdet Troplini, trafikan droge i maskuar si biznesmen në Durrës, është mik i ngushtë i Ilir Metës, sot në burg për korrupsion dhe pastrim parash. Ka dyshime të forta që Meta dhe Troplini mund të jenë edhe ortakë në biznese.
Xhevdet Troplinit është arrestuar dhe dënuar në vitin 2006 për trafik ndërkombëtar droge. Bëhet fjalë për një linjë trafiku droge Turqi, Shqipëri dhe më pas në Itali. Dosja për rolin e Troplinit erdhi nga drejtësia italiane pas përgjimeve ndaj tij dhe disa bashkëpunëtoreve.
Troplini ka qenë objekt i OFL, ku i është sekuestruar edhe një makinë e blinduar tip ‘Jeep’. Ai ka disa biznese mes tyre edhe lokalin në parkingun e të cilit u rrëmbye Gazmir Çollaku, i cili u vra më pas. Troplini është dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale në Durrës, por në asnjë moment nuk është provuar fajësia e tij.
Xhevdet Troplini, me makinën e të cilit rezultojnë se kanë lëvizur disa gjyqtarë, është shfaqur herë pas herë në krah të Ilir Metës, në inaugurimin e bizneseve të tij, por edhe nëpër gosti.
Lidhjet e Troplinit me Ilir Metën duket se janë më të thella. Xhevdet Troplini është pronar i kompanisë “Ovital”, e cila që merret me rritjen e shpendëve. Kompania ka përfituar një fond prej 21 milionë lekësh nga AZHBR, në kohën që Ministria e Bujqësisë drejtohej nga ministri i LSI-së, Edmond Panariti, sot drejtor kabineti i Metës në Presidencë.
Në inaugurimin e nisjes së këtij biznesi ka qenë i pranishëm edhe Ilir Meta, në cilësinë e kreut të Kuvendit në atë kohë, i cili vlerësonte investimin e kryer duke e konsideruar mundësi për rritjet ekonomike të vendit dhe duke e marrë si shembull suksesi për sipërmarrësit e tjerë.