Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka urdhëruar nga burgu anëtarët e partisë së tij dhe ata të kryesisë që brenda datës 23 maj të kenë të përfunduar analizën për rezultatin e marrë në zgjedhjet e 11 majit. Meta kërkon verifikimin e punës dhe rolin e të gjithë anëtarëve gjatë ditës së votimit dhe numërimit të votave në ditët pasardhëse.

Një kërkesë e veçantë është dhe për të ngarkuarin me punë për diasporën, për kontaktet që ai ka pasur dhe a janë pasqyruar votat që priteshin në rezultatin përfundimtar. Këto analiza do t’i dorëzohet zyrtarëve të PL, Edmond Haxhinasto, Tedi Blushi dhe Rexhep Ballmi dhe të gjitha do të shqyrtohen në mbledhjen e kryesisë më 1 qershor.
Pas largimit nga Presidenca, para se të arrestohej nga SPAK, Meta zbuloi një grup armiqësor në parti, grup i cili kryesohej nga ish bashkëshortja Monika Kryemadhi. I pushtuar nga paranoja, Meta nisi një valë spartimesh deri tek truprojet, duke i akuzuar si spiunë dhe bashkëpunëtorë të SPAK-ut kundër tij. Krahas spartimeve, Meta i ndryshoi edhe emrin partisë nga LSI në Partia e Lirisë.
Lëvizja rezultoi fatale. PL-ja u fshi nga harta elektorale në zgjedhjet e 11 majit. Meta duket se dyshon se pas këtij rezultati qëndron një tjetër grup armiqësor. Sinjalin e parë e dha sekretari i përgjithshëm, Tedi Blushi, i cili gjatë protestës së PD-së aludoi se disa segmente brenda partisë kishin punuar kundër Ilir Metës.