I morën PD-së 8 mandate, por pa kontribut! Aleatët besnikë të Berishës ‘dramë’ me vota

Aktualitet

Publikuar: 20/05/2025

I morën PD-së 8 mandate, por pa kontribut! Aleatët besnikë të Berishës ‘dramë’ me vota

Nga Danjela Maloku

Jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin, rezultati i 11 majit tregoi se koalicioni mes Partisë Demokratike dhe mbi 20 partive të tjera qe një kontratë e nënshtruar pa dobi për demokratët të cilëve iu desh të spostoheshin e të hidheshin në betejën e listave të hapura për t’i liruar mandate të sigurta, jo pak, por 8 emrave nga radhët e aleatëve.

Rezultati i dobët dhe tkurrja e partisë më të madhe opozitare, nuk u ndihmua dot as nga votat e koalicionit, pasi prej aleatëve, Sali Berishës, ndonëse kishte parashikuar 1/3 e votave, në të gjithë vendin nuk i kanë ardhur më shumë sesa rreth 60000 vota që nuk bëjnë dot as 6 mandate deputeti ose në total rreth 1/9 e votave që ka marrë PD.

Partia e Lirisë i solli koalicionit rreth 26 mijë e 700 vota, duke arritur kështu të justifikojë vetëm 2 nga 4 mandatet e sigurta që mori nga Partia Demokratike.

VOTAT E GRUMBULLUARA NGA KANDIDATËT E  PL

Elmira Ndrevashaj PL Shkodër 845     vota

Adriatik Hoxha PL Durrës 1585 vota

Dashamir Xhika PL Elbasan 3139 vota

Gentian Çala PL Korçë 3811 vota

Lefter Maliqi PL Berat 5222 vota

Arben Çuko Fier 1874  vota

Viktor Tusha PL Lezhë 2215 vota

Ilir Metaj Tiranë 7981 vota

Mes këtij grushti votash, kontribuesi më i madh duket të jetë Partia Agrare e Agron Dukës, që e sakrifikoi veten me vetëm 1 kandidat në listë të sigurt, Artan Lukun, tashmë deputet i Durrësit. Në këmbim të këtij deputeti, Agron Duka solli 22 mijë e 660 vota, përmes 9 kandidatëve në listë të hapur.

VOTAT E GRUMBULLUARA NGA KANDIDATËT E PAA

Elton Rroshi Tiranë- 5452 vota

Artan Liçaj Vlorë-3553 vota

Edison Doci Lezhë 2944 vota

Alis Narazani Elbasan 1875 vota

Matilda Matija Shkodër 1860 vota

Oltion Merdari Berat 1127 vota

Enton Çaçani Korçë -1398 vota

Ndrec Pjetri Durrës 4451 vota

Shpëtim Idrizi, që kur firmosi koalicionin me PD pretendoi deri në fund 2 mandate të sigurta deputeti, nuk i ka sjellë koalicionit me kandidiatët e regjistruar në siglën e PDIU-së as gjysmën e votave të një mandati. Me Mesila Dodën deputete të sigurt, përmes kandidatëve në listë të hapur, përfshirë dhe veten, Idrizi solli vetëm 4 mijë vota.

VOTAT E GRUMBULLUARA NGA KANDIDATËT E PDIU:

Shpëtim Idrizi Tiranë 1991 vota

Liljan Idrizaj PDIU Shkodër 290 vota  

Dritan Sejko PDIU Elbasan 601 vota

Elsuida Vila PDIU Korçë 342 vota

Skënder Muço PDIU Vlorë 854 vota

Vendin e sigurt në parlament, nuk e kanë justifikuar dot as votat e PBDNJ së Vangjel Dules dhe Partisë Republikane të cilët hodhën në garën e hapur kandidatët Gjikuria e Jahelezi, por që nuk kapën dot as nga 4 mijë vota.

PBDNJ

Petraq Gjikuria Vlorë 3982 vota

PR

Albi Jahelezi Tiranë 3783 vota

Nën siglën e tyre, rezultojnë në listat zyrtare të KQZ edhe kandidatë të tjerë, por që në fakt vijnë nga radhët e demokratëve. Kjo manovër është bërë që kur të përllogariten fondet, partitë e vogla aleate të jenë përfituese.