Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, në një deklaratë për mediat komentoi kërkesën që kanë paraqitur disa kandidatë, të cilët pretendojnë vjedhje votash, për të parë pamjet filmike gjatë numërimit.
“Nëse një parti politike apo koalicion, iu kemi thënë që gjithsecili prej këtyre subjekteve mund të tërheqë në KQZ pamjet filmike. Nëse nuk i siguron dot për arsye të ndryshme, KQZ ua vë në dispozicion çdo kandidati.
Unë e di se çfarë duhet të ndodhë por nuk dua të ndërhyjë në kompetencën e njërit apo tjetrit. Rinumërimi nuk ka të bëjë me komisionerin shtetëror. Nuk dua të jap një përgjigje për këtë gjë. Është njësoj si te jem gjyqtari i shkallës së parë dhe të them se çfarë do të bëjë Apeli”, u shpreh Celibashi.
I pyetur nëse ka bazë ligjore që votimi nga jashtë të shpallet i pavlefshëm, kryesisht ato të Greqisë pas akuzave të PD për manipulim, Celibashi deklaroi se nëse verifikohen shkeljet e ligjit dhe ka ndikim në rezultat, çdo lloj votimi mund të shpallet i pavlefshëm. Megjithatë, ai garantoi se sa i përket administrimit në kompetencë të KQZ, procesi është kryer si duhet dhe nuk ka parregullsi.
“Nëse verifikohen shkelje të ligjit dhe ndikojnë në rezultat çdo lloj votimi mund të shpallet i pavlefshëm. Me siguri të plotë them se çfarë ka administruar KQZ me këtë proces ka prodhuar integritet të plotë të paktën për atë segment dhe kompetencë të KQZ.
Ngelet diskutimi se si votuesit nga jashtë kanë votuar, por në momentin që gjithsecili prej tyre ka vendosur fletën e votimit në zarfin përkatës, asnjë gjë s’e ka cenuar integritetin e procesit zgjedhor.
Më shumë akoma në ambientin ku zhvillohet procesi i numërimit të votave. Nga ana tjetër, ka të drejtën e vet për të kërkuar dhe sqaruar çdokush që ka pretendimet për këtë proces. Kemi përgjigje për çdo pyetje të mundshme“, shtoi Celibashi.