Numërimi i diasporës së Greqisë drejt fundit, PS 68 mijë vota para PD te emigrantët dhe mbi 312 mijë vota në shkallë vendi! Gara vetëm për kandidatët brenda partive

Politikë

Publikuar: 18/05/2025

Numërimi i diasporës së Greqisë drejt fundit, PS 68 mijë vota para PD te emigrantët dhe mbi 312 mijë vota në shkallë vendi! Gara vetëm për kandidatët brenda partive

Numërimi te Parku Olimpik i Tiranës “Feti Borova” për votat e diasporës së Greqisë ka vijuar orët e vona të natës.

Sipas tabelave zyrtare të KQZ-së, janë numëruar dhe referuar 192 155 zarfe me vota të emigrantëve për zgjedhjet e 11 majit, nga 195 141 që ka qenë numri total.

Deri tani partia Socialiste ka fituar 114 126 vota, ose 60,06% dhe Partia Demokratike 46 009 vota, ose 24,21%.

Diferenca e votave mes dy partive të mëdha ka kaluar mbi 68 mijë vota në favor të PS-së.

Në shkallë vendi (duke llogaritur diasporë dhe qarqe) PS gjithashtu ka një diferencë shumë të thellë me mbi 312 mijë vota nga demokratët. Aktualisht socialistët kanë një total me mbi 840 mijë vota, kurse demokratët 528 mijë vota.

14 353 vota ka marrë nga diaspora Nisma Shqipëria Bëhet, ose 7,55%, 5864 vota Mundësia, ose 3,09%, 2,25% Lëvizja Bashkë dhe 1,19% Partia Socialdemokrate. Të tjerat janë nën pragun e 1%-shit.

Deri tani PS ka siguruar 83 mandate, pasi arriti ta ruante mandatin e 12-të të Fierit pas numërimit të zarfeve të emigrantëve të Greqisë për këtë qark për partitë, teksa e tentonte Nisma Shqipëria Bashkë që t’ia hiqte.

PD ka mbetur në kuotën e 50 mandateve, pasi ruajti mandatin e katërt të Lezhës dje me deputetin Kastriot Piroli, PSD me 2 mandate, Mundësia po 2 mandate dhe nga 1 mandat Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë.

Aktualisht vijon numërimi edhe për votat preferenciale, ku gara më e fortë mbetet ajo e Tiranës brenda PS, për një vend mes deputetëve Ornaldo Rakipi dhe Xhemal Qefalia, me të parin që ka krijuar shkëputje me të paktën 200 vota dhe për një vend tjetër mes deputeteve Olta Xhaçka dhe Blerina Gjylameti, me të parën që e ka kaluar me dhjetëra vota në numërimin e nisur për preferencialet nga zarfet e Greqisë.

Në PD gara konsiderohet e mbyllur, pasi Jorida Tabaku ndodhet gati 3 mijë vota para Ilir Alimehmetit dhe vota e diasporës nuk pritet të ndryshojë gjë për mandatin e vetëm të listës së hapur në Tiranë.

Garë për preferencialet ka edhe në Lezhë vetëm brenda kandidatëve të PD-së dhe PS-së për t’i zënë vendin njëri-tjetrit në një mandat, vetëm brenda partisë dhe jo mes tyre. Te PD Kastriot Piroli duket shumë i shkëputur nga ndjekësi Aleksandër Lala te lista e hapur dhe në PS lufta më e fortë bëhet mes Admir Kadelit dhe Marjeta Nelit, me këtë të dytën që ndodhet qindra vota para kolegut të partisë.

Gara mes partive për të rrëmbyer mandat përfundoi dje (17 maj), ku PD e ruajti mandatin e katërt vetëm për disa dhjetëra vota. Në Kukës gara brenda PD-së për mandatin e listës së hapur përfundoi me përmbysje në favor të deputetit Isuf Çela, që tejkaloi Shkëlqim Shehun.

Kurse Besa Spaho në Korçë përpiqet ta ruajë mandatin nga socialistja tjetër Eslemvera Zake