Humbësi serial i Tiranës Belo Këlliçi, si e fundosi PD-në në 11 maji dhe kthimi në qesharak

Aktualitet

Publikuar: 17/05/2025

Humbësi serial i Tiranës Belo Këlliçi, si e fundosi PD-në në 11 maji dhe kthimi në qesharak

Pas Sali Berishës, mbi të cilin rëndon disfata në rang kombëtar dhe rrudhja e PD-së me 200 mijë vota, një nga humbësit më ikonikë të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit është Belind Këlliçi, i cili ka drejtuar fushatën në Tiranë. Belind Këlliçi po kthehet në një legjendë disfatash, duke rivalizuar edhe ‘brand-in’ Lulzim Basha. Në vitin 2015, Belind Këlliçi drejtoi fushatën e Halim Kosovës për Bashkinë e Tiranës. Kosova humbi me 43 mijë vota përballë Erion Veliajn.

Në zgjedhjet lokale të 2023, Belind Këlliçi kandidoi përballë Erion Veliajt për Bashkinë e Tiranës, duke humbur me 60 mijë vota diferencë. Belo u zhduk disa muaj, mbolli flokët, u shfaq me një orë luksoze dhe tha se ia kishin vjedhur votat.

Në kushtet kur Agron Shehaj refuzoi ofertën e Berishës për të drejtuar fushatën e PD-së në Tiranë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Berisha ia besoi drejtimin Belind Këlliçit. Në këto zgjedhje, pa votën e disaporës, PD-ja mori në Tiranë rreth 150 mijë vota, përthyer në 13 mandate. Në zgjedhjet e 2021, PD-ja mori në Tiranë rreth 180 mijë vota, përthyer në 17 mandate.

Disfata e Belos në Tiranë është më e thellë, pasi në zgjedhjet e 2021, kur PD-ja mori 180 mijë vota, PD-ja garonte pa LSI-në, e cila në 2021 mori rreth 27 mijë vota në Tiranë. Në këto zgjedhje, PD-ja ishte shkrirë me LSI-në, ku megjithatë mori 30 mijë vota më pak.

Për t’u lehtësuar nga damka e humbësit serial, Belo Këlliçi ka vendosur të bëhet qesharak. Në vend që të merrte përgjegjësinë para demokratëve dhe të largohej nga politika, Belo u shfaq në protestën e djeshme të PD-së me veshje ushtarake si Zelensky. Sot Belo Këlliçi tha se kishte nisur betejën për të faktuar vjedhjen e pretenduar të votave, një refren bajat dhe banal që përsëritet prej 10 vitesh.