Starmer nga Tirana: Do prodhojmë bashkë mjete ushtarake! Rama: U ul numri i emigrantëve të paligjshëm, mit që shqiptarët janë problem për Britaninë

Kryesore

Publikuar: 15/05/2025

Starmer nga Tirana: Do prodhojmë bashkë mjete ushtarake! Rama: U ul numri i emigrantëve të paligjshëm, mit që shqiptarët janë problem për Britaninë

Në vizitën e parë zyrtare të një kryeministri britanik në vendin tonë, Keir Starmer dhe kryeministri Edi Rama u zotuan për thellimin e bashkëpunimit dhe për këtë u firmosën dy marrëveshje, ku parashikohet që dy vendet të prodhojnë së bashku mjete ushtarake.

“Do të punojmë së bashku për prodhimin dhe shitjen e automjeteve ushtarake. Ky është moment që shtetet evropiane duhet të rrinë së bashku, të bëjmë qendresë ndaj agresionit rus”, tha Starmer.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për marrëdhëniet e dy vendeve tona, për shkak se ne asnjëherë më parë nuk kemi qenë të lidhur për çështje kaq të rëndësishme. Për çështjen e Ukrainës dhe në çështjen e betejës për emigracionin e paligjshëm për rrjetet kriminale që e stimulojnë emigracionin të paligjshëm.”, tha Rama.

Vetë Starmer, e cilësoi vizitën e tij si një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa një urim kishte për kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Përgëzime, urime për fitoren zgjedhore dhe është vërtetë gjë e madhe që jam në Shqipëri”, u shpreh Stramer. 

Në fokus të diskutimit u vendos edhe lufta kundër emigracionit të paligjshëm, ku të dy liderët pranuan se me Task-Forcën e përbashkët, kanë ulur numrin e shqiptarëve që kanë tentuar kalojën në Britaninë e Madhe në mënyrë të paligjshme. Kryeministri Rama nuk la pas një koment për të gjitha sulmet që shqiptarët kanë marrë, kur tha se është thjesht një mit që shqiptarët janë problem për Britaninë e Madhe dhe ky stigmatizim është i papranueshëm.

“Ky miti se shqiptarët janë problem për Britaninë nuk është i vërtetë, edhe pse kjo gënjeshtër ka marrë statusin e së vërtetës. Nga ana tjetër dua të theksoj një shifër, se kur thuhet 1 në 50 shqiptarë janë në burg, ndërkohë është 10 fish më e ulët.”-tha Rama. 

“Ecuria jonë e përbashkët dhe progresi në uljen  numrit të gomoneve, ka qenë ulje e konsiderueshme dhe kjo është mesazh i qartë i asaj që arrihet kur dy vende punojnë ngushtësisht me njëra tjetrën”, tha Starmer. 

Rama tha se është koha që të zgjidhet edhe një tjetër problem me emigrantët shqiptarë që jetojnë atje, të cilët kanë përdorur identitet të Kosovës.

“Është koha për të shqyrtuar një tjetër problem që kemi në Britaninë e Madhe me shumë shqiptarë që kanë arritur dhe janë sistemuar vite më parë dhe të integruar, por  në kohën e mbërritjes së tyre kanë përdorur pasaporta ose identitet të Kosovës, me pranimin si refugjat lufte. Dhe ata sot jetojnë me dy identitete, një për shtetin britanik, një këtu në Shqipëri dhe kanë probleme të vazhdueshme që mund t’u jepet zgjidhje duke qenë se janë qytetarë të integruar plotësisht prej më shumë se 20 vitesh dhe janë kontribues në ekonomi dhe jetën shoqërore”, tha Rama.

Të premten e 16 majit, Rama do të nisë ditën me disa takime që do i paraprijnë samitit të Komunitetit Politik Evropian që do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej”. Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron do të qëndrojë edhe një ditë më pas për Samitin  Ndërkombëtar për të ardhmen e Evropës. Në vizitën që do mbajë në Tiranë, Macron do të shoqërohet edhe nga bashkëshortja e tij, Brigitte, ku do të inaugurojnë shkollën teknologjike ‘Ecole 42’.