I akuzuar për korrupsion zgjedhor, arrestohet me urdhër të SPAK babai i kandidates së PSD në Fier Limonera Bozha

Politikë

Publikuar: 12/05/2025

I akuzuar për korrupsion zgjedhor, arrestohet me urdhër të SPAK babai i kandidates së PSD në Fier Limonera Bozha

Pandeli Bozha, babai i kandidates së PSD në Fier, Limonera Bozha është arrestuar me urdhër të SPAK për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Sipas policisë, nga hetimet e kryera përgjatë një muaji, ai iu ka dhënë para personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës në favor të së bijës.  

Në një komunikim për gazetaren e Report TV Marsela Topi, kandidatja e PSD ka deklaruar se babai i saj është ndaluar mbrëmjen e së dielës rreth orës 09:00 teksa ka qenë duke lëvizur me automjet pranë banesës së tij. 

Kandidatja thotë se është e paqartë për ndalimin e tij. Ndërkohë pritet një njoftim nga policia për të mësuar më shumë detaje rreth ndalimit të tij. Ndërkohë materialet procedurale iu referuan SPAK, për veprime të mëtejshme.

“Si rezultat i një hetimi njëmujor, në drejtimin e SPAK, dokumentohet një rast i blerjes së votave.
Vihet në pranga autori.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ndalimin e shtetasit P. B., 63 vjeç, banues në fshatin Portëz, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Nga hetimet dyshohet se gjatë një muaji, ai iu ka dhënë shuma parash, shtetasve të ndryshëm, me qëllim blerjen e votave në favor të kandidates së një subjekti politik.

Materialet procedurale iu referuan SPAK, për veprime të mëtejshme.”, njofton policia. 

/shqiptarja.com