Ladi Ndoja nga Rrësheni, bashkëshorti i kandidates së PD në Lezhë Elda Hoti, është arrestuar mbrëmë nga policia për krime zgjedhore, bashkë me shtetasin Amarildo Jushi. Ndoja dhe Jushi janë vënë në pranga për “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Në vitin 2016, Ladi Ndoja u arrestua në flagrancë në Venecia të Italisë, pasi e kishte kthyer shtëpinë në bazë droge. Policia i gjeti në banesë 50 kg marijuanë dhe 24 karta identiteti të vjedhura. Zonja Hoti ka bërë më pas një ndarje të dyshuar fiktive nga Ladi Ndoja, ndoshta me qëllim që kjo ‘njollë’ të mos prekë karrierën e saj politike.

Një muaj më parë, policia ka arrestuar edhe vëllain e deputetes së PD, Elda Hoti, Markelian Hoti, për kanosje me armë zjarri dhe armëmbajtje pa leje. Hoti ishte denoncuar edhe në vitin 2021 për tentativë vrasje, por çështja ishte pushuar.

Ndërkaq, në vitin 2021, Llesh Nikolli iu drejtuar KQZ-së me ankesë, duke akuzuar deputeten Elda Hoti se ka fshehur ndryshimin e emrit të babai të saj nga David në Artan Hoti, për shkak të të shkuarës së tij kriminale. Zonja Hoti i mohoi akuza.