Në 23 prill 2025, kreu i PSD-së Tom Doshi sfidoi Berishën dhe Ramën, duke i paralajmëruar se partia e tij do të merrte një mandat deputeti në Kukës. Po në ç’formë i kishte bërë llogaritë Doshi për të marrë mandatin e deputetit?
Strukturat e posaçme për hetimin e krimeve zgjedhore në Kukës, në bashkëpunim me SPAK, ka kapur në flagrancë 27-vjeçarin Kalosh Peposhi, duke blerë vota në Kukës për partinë e Tom Doshit. Sipas Policisë, 27-vjeçarit i është kapur edhe një shumë e konsiderueshme parash, të cilat dyshohet se do t’i përdorte për veprimtari kriminale të korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Peposhi ishte dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike në Mbretërinë e Bashkuar. Në kërkim është shpallur edhe kushëriri i tij, Gazmend Peposhi. Gjatë ditës së sotme, policia, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka ushtruar kontrolle në banesat Gazmend dhe Kalosh Peposhit.
Policia bën me dije se po punon intensivisht me qëllim identifikimin e personave ndaj të cilëve ka dyshime se janë dhënë vlera monetare për orientimin e votës së tyre ndaj PSD-së. Policia dhe SPAK po hetojnë rrugën nga kanë ardhur paratë.
Njoftimi i Policisë Kukës
Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, ku u shpallën në kërkim dy shtetas për “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, ju informojmë se;
Nga strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve zgjedhore në DVP Kukës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSH dhe DVP Kukës, nën drejtimin e SPAK, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. P., 27 vjeç, banues në fshatin Lusen, i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë arrestimit, këtij shtetasi ju gjet një shumë e konsiderueshme parash, të cilat dyshohet se do ti përdorte për veprimtari kriminale të korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Vijon puna për kapjen e shtetasit G. P.
Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.