Bllokuan makinën me pretendimin se po bliheshin vota, Policia çon në SPAK Xhemal Gjunkshin dhe 3 të tjerë! Akuzë për korrupsion zgjedhor, vetëgjyqësi dhe pengim qarkullimi

Politikë

Publikuar: 10/05/2025

Bllokuan makinën me pretendimin se po bliheshin vota, Policia çon në SPAK Xhemal Gjunkshin dhe 3 të tjerë! Akuzë për korrupsion zgjedhor, vetëgjyqësi dhe pengim qarkullimi

Policia e Dibrës ka dërguar për procedim në SPAK kandidatin për deputet të Partisë Demokratike në këtë qark për zgjedhjet e 11 majit, Xhemal Gjunkshi dhe 3 persona të tjerë, pasi bllokuan një makinë mbrëmjen e djeshme në Maqellarë, nën dyshimin se po bliheshin vota.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:15 të mbrëmjes së djeshme, teksa vetë deputeti Gjunkshi ka telefonuar Policinë për makinën që kishin bllokuar nën dyshimin e blerjes së votave, teksa brenda saj ndodheshin dy persona.  Uniformat blu nisën menjëherë hetimet, teksa kanë konstatuar se kishte një veprim antiligjor nga mbështetësit dhe përfaqësuesit e PD-së, me anë të vetëgjyqësisë. Gjithashtu ata referuan në bashkëpunim ehde me SPAK, materiale për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit. “Për sa më sipër, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e lidhur me veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, në ngarkim të shtetasve A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç;  Xh.Gj., 62 vjeç; E.Gj., 33 vjeç”, thuhet mes të tjerash në njoftimin zyrtar të Policisë së Dibrës.

Xhelal Mziu akuzoi ish-kryebashkiakun e PS, Agron Malaj, që kandidon për deputet në këtë qark, teksa ky i fundit u përgjigj me një video-postim se makina e bllokuar as ishte e tija, pasi ndodhej në Burrel me shtabin elektoral, duke u shprehur se ngjarja mund të verifikohej.

Kujtojmë se deputeti Xhemal Gjunkshi, është ish-gjenerali që ka firmosur finalizimin e tjetërsimit të pronave të Kompleksit Partizani te dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, ku u ndërtuan komplekse pallatesh me vlerë miliona dollarë.

SPAK hetoi veprimet antiligjore dhe ngriti çështjen për aferën “Partizani”, që tani ndodhet në GJKKO në seancë paraprake, teksa Berisha është marrë i pandehur bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë.

Njoftimi i Policisë Dibër:
“Me datë 09.05.2025, rreth orës 21.15,  në sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër ka mbërritur një telefonatë nga shtetasi Xh.Gj., (kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), i cili shprehej se në Maqellarë, përfaqësues të subjektit politik të Partisë Socialiste dyshohej që shpërndanin shuma parash në këmbim të votave, banorëve të kësaj njësie.

Menjëherë, në adresën e dhënë ka shkuar grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Rrethit Dibër, janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore.

Për sa më sipër, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e lidhur me veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, në ngarkim të shtetasve A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç;  Xh.Gj., 62 vjeç; E.Gj., 33 vjeç”.